Toleranca fetare në mjedisin shqiptar: sfondi historik

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Ndonëse Shqipëria trashëgon një diversitet të theksuar fetar, bashkëekzistenca, harmonia, dhe toleranca midis feve të ndryshme kanë karakterizuar si të kaluarën ashtu edhe të sotmen e shqiptarëve. Kjo vlerë e çmuar historike konsiderohet sot si kontributi kryesor që Shqipëria dhe populli shqiptar u afron popujve tw botës në luftën kundër intolerancës, fanatizmit dhe ekstremizmit të maskuar me mbulesë fetare.

Toleranca fetare e pranishme në Shqipëri gjatë shekujve të Mesjetës,  u ruajt edhe gjatë përhapjes së islamizmit në hapësirën shqiptare, sepse vazhduan të veprojnë pothuajse të njëjtët faktorë konvergjentë: territori i përbashkët, gjuha, traditat etnokulturore si dhe marrëdhëniet shpirtërore. “Populli shqiptar, ka theksuar Papa Gjon Pali  II gjatë vizitës së bërë në Shqipëri, është për t’u marrë si shembull në këtë pikëpamje. Që të tre komunitetet fetare mbajnë njëj raport respekti reciprok dhe të një bashkëpunimi të  njerëzishëm.  Duhet mësuar arti i dialogut dhe i të dëgjuarit, qoftë edhe kur kjo duket e pamundur. Uroj që Shqipëria të bëhet përherë e më tepër atdheu i ekumenizmit dhe i dialogut ndërfetar. A ka lëvdatë më të denjë për ju, sesa të tregoheni me gisht nga Europa dhe mbarë bota, si shembull dialogu, mospërdorimi të dhunës dhe mirëkuptimi fetar të ndërsjelltë.

            Sigurisht që me përhapjen e fesë islame në viset shqiptare gjatë sundimit osman u thellua më tej diversiteti fetar, gjë që potencialisht krijonte kushte për përçarjen dhe shpërbërjen e kombit shqiptar. Mirëpo kjo gjë nuk ndodhi sepse realiteti i ri fetar ishte një mozaik i vendosur mbi një shtrat të fuqishëm, të përforcuar në rrjedhën e historisë nga veprimi i faktorëve të konvergjencës të përmendur më lart.

            Nga ana tjetër, ashtu si kundër krishterimi (ortodoks apo katolik) edhe islami tek shqiptarët përgjithësisht mbeti nje fe popullore, larg intolerancës dhe fanatizmit doktrinor. Për më tepër, përhapja në viset shqiptare e sekteve të ndryshme islamike krahas islamizmit sunit, e zbuti së tepërmi klimën e marrëdhënieve ndërfetare në trevat shqiptare. Një rol të vecantë në këtë drejtim luajti urdhëri baktashian, i cili, duke qenë i afërt me të dy besimet kryesore,krishterimin dhe islamin, duke predikuar tolarancën dhe mirëkuptimin ndërshqiptar, kontribuoi në frenimin e prirjeve ndarëse në gjirin e popullsisë dhe në fuqizimin e lidhjeve të unitetit mbi baza etnike dhe kombëtare.

Të dhënat e dokumentacionit historik janë vërtetimi më i sigurt për ekzistencën e tolerancës dhe të bashkëjetesës pa probleme të shqiptarëve të besimeve të ndryshme. Burimet historike të shek. XVII-XVIII jo rrallë afrojnë të dhëna sipas të cilave vajza të krishtera martoheshin me djem të islamizuar dhe se në kundërshtim me rregullat fetare, ata kërkonin që edhe fëmijët e lindur nga këto martesa të përziera të pagëzoheshin në kishë.

            Në një raport të tijin dërguar  Selisë së Shenjtë të Romës më 1638 një misionar kattolik jo pa habi theksonte: "Meqenëse rrijnë vazhdimisht  bashkë, shumë sende nxënë të  krishterët nga të pafetë (lexo: myslimanët -F.D.) si p.sh., me kremtue ditën e premte që asht festa kryesore e turqve (lexo:myslimanëve- F.D.) dhe bestytni të pafund. Turqit (myslimanët- F.D.) si të rrjedhun nga të krishterët, ruajnë shumë zakone të të krishterëve: përsa u përket festave, ftojnë njeni-tjetrin ndër morte, ndër kremtime dhe kur bajnë dasma. Shumë nga këta të krishterë tue marrë e dhanë me  ta, besojnë se edhe ata shelbohen  (shëndetësohen- F.D.), në qoftë se kryejnë disa të  këqia.

            Një dukuri të tillë e vinte re edhe bashkëshortja e ambasadorit britanik në Stamboll Montagy, e cila më 1717 shkruante:

 “Këta njerëz, që jetojnë midis të krishterëve dhe  muhamedanëve dhe që nuk ua kanë marrë dorën mosmarrëveshjeve (fetare-F.D.), deklarojnë se nuk janë aspak në gjendje të gjykojnë se cili besim është më i miri. Por, për hir të së  vërtetës, ata i ndjekin me maturi të dy besimet. Shkojnë në xhami të premteve dhe në  kishë të dielave, duke nxjerrë si pretekst se në ditën e gjykimit do të kenë mbrojtjen e profetit të vërtetë; mirëpo, se kush është ky profet, nuk janë në gjendje ta përcaktojnë në këtë botë.”

            Kur analizon faktorët që patën ndikim në kultivimin dhe ruajtjen e tolerancës fetare nën Shqipëri, nuk mund të mos lëmë pa përmendur rolin që luajtën ideologët e Rilindjes, të cilët u përpoqën ta zhvillojnë më tej tolerancën fetare duke e vënë atë në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Rilindasi i shquar Sami Frashëri, shprehte bindjen se politika e përçarjes fetare dështoi përballë atdhedashurisë së shqiptarëve, të cilët, në dallim nga popujt e tjerë, e sidomos nga ata të Lindjes, që në përgjithësi vendosin besimin përpara kombësisë, shprehen se janë shqiptarë para se të jenë myslimanë a të krishterë. Sentenca lapidare “feja e shqiptarit është shqiptaria” e lëshuar në formën e një kushtrimi nga një tjetër figurë e shquar e Rilindjes, Pashko Vasa, dhe që përshkoi letërsinë historike, politike dhe artistike, jo vetëm të Rilindjes Shqiptare por edhe të periudhave pasardhëse, ishte padyshim një qëndrim politik që i kundërvihej qartazi përçarjes dhe synonte bashkimin e shqiptarëve pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare.

Të bashkuar dhe jo të ndarë nga besimet fetare shqiptarët vepruan edhe në aktin e shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor 1912. Si në Kuvendin e Vlorës ashtu edhe në qeverinë e parë shqiptare të dalë prej tij,         përfaqësosheshin të gjitha besimet duke qenë në këtë mënyrë një shprehje evidente e tolerancës, respektit dhe mirëkuptimit ndërfetar.

Solidariteti dhe toleranca midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme u shfaqën me një shkëlqim të veçantë edhe në periudhat e mëvonshme. Priftin katolik Luigj Bumçi, Mehdi Frashërin, Mihal Turtullin, Hoxhë Kadrinë, Luigj Gurakuqin, Fan Nolin dhe Faik Konicën, i shohim të gjithë së bashku në Shqipëri apo jashtë saj në mbrojtje të çështjes shqiptare. “Muhamedanët nuk janë këtu muhamedanë të vërtetë, theksonte Konica, ashtu si edhe të krishterët nuk janë krejt të krishterë.”

Atë Luigj Bumçi i cili në dhjetor të 1919 shkoi në Vatikan për kërkuar mbështetje për çështjen shqiptare, i tha Papës se shumica e anëtarëve të delegacionit shqiptar që ndodhej në Paris, ishin myslimanë, dhe se e kishin zgjedhur atë kryetar të tyre dhe e kishin dërguar atje (në Vatikan – F.D) për t'i kërkuar Shenjtërisë së Tij të ndihmonte Shqipërinë.

Ishte pikërisht ky realitet fetar që tërhoqi dukshëm vëmendjen edhe të diplomatëve të huaj në aktivitetet ndërkombëtare të organizuara për Shqipërinë në fillim të viteve 20-të. Duke marrë fjalën në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë më 17 dhjetor 1920, kur diskutohej çështja e pranimit të Shqipërisë në këtë, delegati indian ishte shprehur se, kur në botë zhvilloheshin ende luftra ndërfetare, në Shqipëri, myslimanët, katolikët, ortodoksët, jetonin në harmoni dhe se ishte një fakt i shkëlqyer për një vend me shumicë dërmuese të popullsisë myslimane, të përfaqësohej këtu nga një i krishterë  dhe pikërisht një prift (ishte fjala për Fan Nolin që kryesonte delegacionin shqiptar-F.D.).

Edhe mbreti i shqiptarëve, Zogu I, i cili si i tillë bëri shumë për modernizimn e institucioneve fetare në Shqipëri dhe për ndarjen e shtetit nga feja, ditën që u bë mbret (1 shtator 1928), bëri betimin duke vendosur njërën dorë mbi Bibël ndërsa tjetrën mbi Kuran, duke premtuar kështu se do të mbronte unitetin kombëtar.

Periudha e sundimit komunist ka qenë e egër dhe tepër armiqësore përsa u përket sjelljeve dhe qëndrimeve ndaj fesë. Diktatura u përpoq të asgjësojë besimin dhe të ngrejë në kult ateizmin. Feja u ndalua me ligj, ndërsa u mbyllën institucionet fetare. Sigurisht që kjo aventurë solli dëme të mëdha, por megjithatë besimi mbeti i gjallë në shpirtrat e njerëzve për t'u rizgjuar me një fuqi të re në vitet paskomuniste.

Me shembjen e komunizmit në Shqipëri, me rihapjen e institucioneve fetare, myslimanë, ortodoksë dhe katolikë, morën pjesë së bashku në ceremonitë fetare të zhvilluara anembanë vendit.

Por me hapjen e Shqipërisë paskomuniste ndaj botës dhe fitoren e lirisë së besimit, para nesh shfaqen probleme e sfida të reja. Sot kur e gjithë bota e civilizuar është duke luftuar kundër terrorizmit të të mbuluar me petk fetar, shqiptarët duhet të vetëdijësohen që të luftojmë më shumë për fuqizimin e faktorëve që ndihmojnë dhe ushqejnë harmoninë dhe bashkëjetesën paqësore fetare e kultivuar historikisht, duke luftuar dhe shmangur ndikimet negative që mund t'u imponohen atyre kryesisht nga jashtë Shqipërisë.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image: