Për pasqyrimin në shtypin shqiptar të çështjeve që lidhen me fenë dhe marrëdhëniet ndërfetare (25 Nëntor 2009 - 3 Shkurt 2010)
Gjatë periudhës në fjalë shtypi shqiptar ka treguar interesim mbresëlënës për probleme të rëndësishme dhe mjaft aktuale të spektrit fetar. Është për t'u theksuar se informacioni që jepet, analizat dhe komentet e bëra për këtë qëllim, lidhen jo vetëm me zhvillime e ngjarje në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, kryesisht ato perëndimore. Duke u nisur nga natyra dhe përmbajtja e shkrimeve, ato mund të klasifikohen në rubrikat e mëposhtëme:
I. Bota perëndimore dhe Islami
Një vend të rëndësishëm në faqet e shtypit të kësaj periudhe zënë shkrimet e botuara me rastin e ndalimit të ndërtimit të minareve të xhamive në Zvicër nëpërmjet një referendumi të zhvilluar në këtë vend muaj më 29 nëntor 2009. Duke e vështruasr rastin e Zvicrës si një problem të lidhur me tolerancën dhe mirëkuptimin midis feve, kulturave dhe qytetërimeve në kohën e sotme, organet kryesore të shtypit shqiptar jo vetëm që pasqyrojnë reagimet pro dhe kundra të shprehura nga segmente zyrtare dhe jozyrtare të Europës ndaj këtij qëndrimi të zviceranëve, por kanë botuar edhe analiza dhe komente të intelektualëve të ndryshëm në lidhje me natyrën dhe simbolet e Islamit si dhe me mënyrat se si duhet ta perceptojnë njëri tjetrin sot perëndimi i krishterë dhe bota myslimane.
Në kuadër të debatit të zhvilluar për këto çështje, tërheq vëmendjen sidomos një shkrim i intelektualit të njohur italian Umberto Eko, të cilin e ka ribotuar gazeta “Integrimi” (organ i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim) e dt. 2 dhjetor 2009 dhe që titullohet “Simbolet fetare në shkolla”. Na duket me rëndësi të theksohet sidomos mesazhi kryesor që na përcjell autori përmes artikullit në fjalë. Ai nënvizon se integrimi në Europën e sotme të mbushur me emigrantë mund të realizohet mbi bazën e një tolerance të ndërsjelltë, çka nënkupton që “një djalë mysliman nuk duhet të jetë i shqetësuar nga një kryq në një sallë gjimnazi, nëse ndër të tjera, besimi dhe tradita e tij fetare respektohen, dhe mbi të gjitha, në se ora e besimeve fetare nëpër shkolla kthehet në një orë të historisë së feve dhe në të cilën ai flet edhe për atë në të cilën ai beson”.
Mjaft interesant në pikëpamje të mundësisë së integrimit të myslimanëve në shoqëritë perëndimore (në rastin konkret, në shoqërinë italiane) paraqitet edhe një editorial i së përditshmes italiane “Corriere della Sera” i shkruar nga një prej studiuesve të shquar të shkencave politike në Itali, Giovanni Sartori, dhe i ribotuar nga “Gazeta shqiptare” (21 dhjetor 2009). Në këtë shkrim spikat qartë skepticizmi i autorit për integrimin e islamikëve (kështu i quan ai njerëzit e besimit islam). Në shërbim të tezës së tij për pamundësinë e integrimit të emigrantëve myslimanë në shoqëritë perëndimore, Sartori sjell shembuj nga historia e ekspansionit islam që nga shekujt e mesjetës.
Jashtë interesimit të shtypit nuk kanë mbetur edhe reagimet e myslimanëve shqiptarë ndaj vendimit të Zvicrës për minaret. Mund të përmendim këtu një artikull të së përditshmes “Koha jonë” (9 dhjetor 2009) të titulluar “Shqiptarët e Gjermanisë: të hapur dhe transparentë” në të cilin theksohet midis të tjerash, se besimtarët myslimanë të komunitetit shqiptar në këtë vend, duke e konsideruar atë çka ndodhi në Zvicër si një qëndrim jotolerant dhe të papranueshëm kundër simboleve të Islamit, deklarojnë se janë një bashkësi fetare e hapur dhe transparente dhe se vlerësojnë qëndrimin miratues të autoriteve gjermane për ndërtimin e xhamisë me kube dhe minaret të destinuar për këtë komunitet.
Organe të caktuara të shtypit shqiptar i kanë vënë rëndësi edhe çështjes së imazhit të Islamit në botën e sotme duke e vënë theksin në dëmin e jashtëzakonshëm që shkaktojnë në këtë drejtim qëndirmet e ekstremistëve islamikë. Është për t’u veçuar me këtë rast një shkrim i gazetës “Shekulli” (12 janar 2010)me titull “Dielli i zbehur i Allahut mbi Evropë”. Autori i këtij shkrimi pasi vë në dukje perceptimet negative që ka sot në Perëndim në lidhje me Islamin (duke iu referuar kryesisht rastit të Zvicrës), thekson se keqpërdorimi i fesë nga nihilistët e sotëm islamikë e ka errësuar ndikimin e madh kulturor që Islami ka patur në Mesjetë. Duke e keqpërdorur dhe keqinterpretuar fenë, siç thuhet më tej në shkrimin e sipërpërmendur, fundamentalistët islamikë ndikojnë edhe më shumë për përhapjen e një imazhi negativ të besimit muhamedan, duke e reduktuar atë padrejtësisht në religjion të dhunës dhe të shpatës. Është me interes të vihet në dukje se autori i shkrimit në fjalë paralajmëron me shqetësim për shfaqjen e disa dukurive negative edhe në mjedisin shqiptar në Kosovë, të cilat kanë të bëjnë me praninë e grupeve fundamentaliste islamike, të cilat, gjithnjë sipas autorit, veprojnë jashtë kontrollit të autoriteteve shtetërore dhe Bashkësisë Islame të Kosovës. Këto grupe, theksohet në shkrim, në kushtet e indiferentizmit të institucioneve, “po krijojnë një sistem paralel të infrastrukturës fetare në Kosovë”.
Megjithatë, në faqet e shtypit të kësaëj periudhe ka gjetur vend edhe modeli shqiptar i tolerancës dhe mirëkuptimit ndërfetar duke i trajtuar ato si një vlerë historike dhe aktuale. Theksime të tilla gjenden në një nga numrat e gazetës “Albanian Dayly News” (28 dhjetor 2009) duke iu referuar për këtë qëllim një takimi të përfaqësuesve të komuniteteve fetare në Shqipëri.
II. Debati për deklarimin e përkatësisë fetare gjatë regjistrimit të popullsisë të vitit 2011
Pas shpalljes nga ana e Qeverisë shqiptare të projektit për regjistrimin e popullsisë në vitin 2011 dhe përfshirjes në pyetësorin e tij të kërkesës për deklarimin e etnisë dhe të besimit fetar, në opinionin publik shpërthyen debate e diskutime të shumta. Pavarëssisht se vendin kryesor në këto debate e zënë shqetësimet për deklarimin e etnisë, në shtyp kanë gjetur pasqyrim edhe opinionet në lidhje me deklarimin e fesë. Mund të përmendet këtu një material i gazetës "Shqip" (17 janar 2010) me titull "Regjistrimi me bazë fetare, i parakohëshëm", i cili është kompozuar me opinionet e shprehura nga figura të njohura të jetës publike dhe fetare shqiptare, shumica e të cilave e kundërshtojnë përfshirjen e deklarimit të fesë në regjistrimin e sipërpërmendur si një veprim të nxituar të Qeverisë.
Gjithnjë në këto suaza interes të veçantë për sa i përket analizës me sens të fortë kritik paraqet shkrimi me titull "Regjistrimi si burim problemesh" botuar në të përditshmen "Panorama" (26 janar 2010). Autori i shkrimit në fjalë, Mentor Nazarko, duke iu referuar projektit të regjistrimit me bazë etnike dhe fetare të shpallur nga Qeveria, thekson se përfshirja e etnisë dhe fesë në regjistrim nuk mund të jetë kusht i Bashkimit Europian, ndaj dhe nuk ka pse të zbatohet nga Shqipëria. Autori e quan këtë ndërmarrje si rrjedhojë e imponimit nga jashtë (politikës greke) dhe jo si diçka që buron nga problemet e brendshme të vendit. Më tej theksohet se ky regjistrim shkon në pajtim me nevojat e atyre shteteve që janë xhelozë për avancimin e kombit shqiptar që sot ka dy shtete dhe se me këtë kërkohet të mbillet në Shqipëri fara e ndarjes duke sponsorizuar minoritete të rreme, apo duke zmadhuar minoritetet ekzistuese. "Shqipëria, nënvizon Nazarko në fund të këtij shkrimi, nuk mund të pranojë çdo lloj presioni, aq më tepër të qarqeve ekstremiste greke që kanë një histori të përgjakshme spastrimi etnik dhe genocidi ndaj minoritetit shqiptar mysliman, hebre dhe atij sllavo-maqedonas, spastrime për të cilat nuk është kërkuar kurrë ndjesë."
Është për t'u vënë në dukje se shtypi ka pasqyruar edhe opinionet në favor të regjistrimit. Krahas zërave qeveritarë në këtë mes vlen të veçohen edhe opinionet e shprehura nga përfaqësues të komuniteteve fetare, të cilët sipas një shkrimi të botuar në gazetën "Standart" të 30 janarit 2010, në parim shprehen pro regjistrimit mbi bazë feje, nisur nga nevoja që ndjehet sot në Shqipëri për të njohur saktësisht shifrat në lidhje me përkatësinë fetare të popullsisë së vendit.
III. Enciklopedia maqedonase për shqiptarët dhe historinë e tyre
Shtypi shqiptar ka qenë mjaft i vëmendshëm edhe në lidhje me trillimet për shqiptarët dhe historinë e tyre nga autorët e një botimi enciklopedik maqedonas. Këtu duhet përmendur polemika e historianit Kristo Frashëri nëpërmjet tri shkrimeve të njëpasnjëshme të botuar në gazetën "Shqip" të dt. 11, 12 dhe 13 dhjetor 2009. Në këto shkrime autori paraqet një sërë argumentesh kundër shtrembërimeve të Enciklopedisë maqedonase në lidhje me shqiptarët e Maqedonisë.
Në përfundim të këtij raporti përmbledhës duhet shtuar se përveç problematikës së mësipërme, shtypi i periudhës në shqyrtim ka trajtuar edhe mjaft çështje të tjera me interes siç janë vendimi i parlamentit francez për të ndaluar ferexhenë, debatet mbi figurën e Nënë Terezës, kremtimet e festave fetare, rastet e vjedhjeve, grabitjeve dhe dëmtimeve të kishave dhe xhamive në Shqipëri, takimi i kreut të Kishës Ortodokse Shqiptare, Kryepeshkopit Janullatos me Papën, etj.
- Grupi Dora-Dores
- Alliance of Civilizations: Experiences and Challenges - Press and inter- religious co-habitation in Albania
- Megi Mulita_ Winner of the first prize of the AoC Essay competition
- Krerë të Komuniteteve fetare kërkojnë ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë Myslimanët: Mos ndaloni shaminë në shkolla
- Për pasqyrimin në shtypin shqiptar të çështjeve që lidhen me fenë dhe marrëdhëniet ndërfetare (25 Nëntor 2009 - 3 Shkurt 2010)
- Raporti i DASH: Shqipëria respekton liritë fetare
- Realitete osmane në mjedisin shqiptar: islamizimi i shqiptarëve të Maqedonisë (shek. 15-18)
- Pasqyrimi në shtypin shqiptar i çështjeve që lidhen me fenë dhe marrëdhëniet ndërfetare -1 gusht-14 nëntor 2010
- AFALC organizon trajnimin e katert per Gazetarine Nderkulturore
- Fillimet e erës osmane në qytetin e Gjirokastrës



del.icio.us
Digg
Comments (0 posted):
Post your comment