Sami Neza

LGBT dhe shoqëria myslimane

13
Oct
1 comments | 0 recommendations

 

Aktet e dhunshme në Beograd gjatë manifestimit të Gay Pride 2010, aktivitet ky që prej më shumë se dyzet vitesh zhvendoset nga një qytet i botës në tjetrin në mbrojtje të lirive e të drejtave të personave LGBT, përcjellin në opinionin kolektiv realitetin e një bashkëjetese të vështirë midis tyre e një pjese të rëndësishme të shoqërisë ballkanike e myslimane. Dhuna e ushtruar mbi më shumë se njëqind manifestues është veçse një grimcë e dukshme e një sjelljeje homofobike, e justifikuar nga ligje e fatkeqësisht një fenomen i përhapur në shoqëritë e mjaft vendeve të botës e jo vetëm në Ballkan e në popullsitë myslimane. Edhe pse teorikisht personat LGBT mbrohen nga traktate ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, midis të cilave Karta Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Politike e Civile dhe Pakti Internacional për të Drejtat Ekonomike, Sociale e Kulturore, personat gay, lesbike, travestitë e transseksualë burgosen, dhunohen madje dhe eliminohen fizikisht pothuajse rregullisht çdo ditë.

 

Në disa prej këtyre vendeve autoritetet e patolerueshme refuzojnë mbrojtjen e të drejtave themelore të homoseksualëve, kurse në disa të tjera qeveritë e tyre janë në linjë të parë kundër personave LGBT ose vetautorë të kësaj dhune. Janë mbi 70 shtete në botë që praktikojnë ligje që dënojnë aktet seksuale me personat e të njëjtit seks e në katër prej tyre praktikohet dënimi me vdekje: Arabia Saudite, Irani, Sudani e Muaritania. Dyzet prej këtyre shteteve kanë ligje të rregulluara nga e drejta islamike, e drejtë kjo e justifikuar si e përcaktuar nga Zoti e nga besimi mysliman. Shteti udhëhiqet nga një kompleks normash fetare, juridike e sociale të bazuara në doktrinën e Kuranit që bashkëjetojnë me rregullat teologjike, morale, etike e rituale, të njohura në Perëndim si e drejta private. Juritë e gjykatave dorëzojnë ekskluzivisht fuqinë e tyre në duart e fesë e në katër burimet e saj kryesore: Kurani, Suneti (tradita e shenjtë), opinioni aprovues e interpretimi analog. Aplikohet Sheriati (rruga që duhet ndjekur) e nuk ka një dallim midis mëkatit e krimit.

 

Ndërsa në shoqëritë perëndimore herë pas here njerëz të politikës, personalitete të artit e kulturës, personazhe të botës së spektaklit e të sportit bëjnë "outing" duke deklaruar orientimin e tyre homoseksual, shoqëria ballkanike e myslimane fryhet me sjellje hipokrite e dukshmërisht kontradiktore. Toleranca e jotoleranca, të bësh e të heshtësh, të shohësh e të mbyllësh sytë, të dëgjosh e të harrosh krijojnë paradoksin e jetës seksuale të botës myslimane. Kënaqësia seksuale e jetuar midis argëtimit e turpit, homoseksuale o heteroseksuale është përherë e fshehur. "Gabimi i fshehur është gjysmë i falur", - thotë një proverb arab e në shoqërinë fanatike myslimane ballkanike o kudo qoftë ajo jeta seksuale e çdo orientimi duhet të gëzohet në mënyrë klandestine, ndryshe mund të pësojë të kthehet në krim e në një turp për familjen. Tolerohen ekzistenca e një personi gay në familje, me kushtin e vetëm që për shoqërinë të rezultojë me një jetë normale, i martuar e me fëmijë. Fshihet e mbulohet e vërteta, injorohet e shtiret përballë evidencës, mjaft që të mos turpërohet familja. "Në botën myslimane joshja e dashuria janë të kodifikuara e duhen përulur përballë ekzigjencës së ligjit social që reagon si një veshje e tmerrshme plumbi", - thotë antropologu egjiptian Malek Chebel.

 

Terrorizem, jo islamizem

16
Sep
0 comments | 0 recommendations

Ditët përreth datës 11 shtator janë ato kur më shumë se çdo herë tjetër diskutohet për terrorizmin dhe për islamizmin. Vazhdon edhe mbas 9 vitesh të shikohet islamizmi si e njëjta gjë me terrorizmin. Këtë këndvështrim e tregon edhe një herë mendimi i pastorit amerikan që për ditën e sulmit terrorist në Amerikë donte të digjte Kuranin. Kjo vjen, ngaqë njerëzit, fatkeqësisht, i kanë barazuar me njëra-tjetrën. Ajo që unë dëshiroj të kthej në vëmendje, është fakti që nuk ka asnjë lidhje mes asaj që predikon feja islame dhe asaj që bën dhe predikon terrorizmi. Pa dyshim që 11 Shtatori ishte ngjarje e madhe njerëzore dhe një kthesë e fortë e regjistruar në histori, ku vendi i demokracisë, bashkëjetesës paqësore, lirive dhe të drejtave u sulmua në mënyrë të papritur dhe makabre nga njerëz terroristë që kryenin vetëvrasje dhe që më vonë u deklaruan se i përkisnin fesë islame. Osama Bin Laden, drejtues i një grupi të fuqishëm terrorist, e paraqet veten si islamik që kryen Xhihadin sipas porosisë së Muhamedit në librin e shenjtë të Kuranit. Hap pas hapi do të tregohet fare qartë se nuk ka asnjë lidhje me fenë islame të vërtetë dhe porositë e Kuranit.

 

Terrorizëm është një term pa një përcaktim të gjithëpranuar nga qeveritë ose analistët akademikë, por pothuaj gjithmonë i përdorur në kuptimin keqësues, më shpesh për të përshkruar veprime kërcënuese të kryera nga grupe nënshtetërore, të vetemëruara dhe të motivuara politikisht. Qëllimi i terrorizmit është ulja e moralit të popullsisë qytetare, me qëllim që pakënaqësia e saj të përdoret si mjet ndikimi mbi qeveritë ose palët e tjera në konflikt.

 

Fillesat e islamizmit, aktualisht feja e dytë më e ndjekur në botë, ndërthuren pjesërisht me ato të Krishterimit. Islamizmi buron nga mësimet e profetit Muhamed në shekullin VII të erës sonë. Zot i vetëm i islamizmit, Allahu, besohet se qëndron mbi të gjithë jetën njerëzore dhe natyrore. I gjithë projekti mysliman dhe gjithçka që ka të bëjë me fenë dhe normat islamike, janë të shkruara në Kuran, që është kushtetuta e paprekshme, guri i themelit për të gjithë islamikët.

 

Për shumë arsye, si pasojë e formimit të kushteve negative, si: prapambetja ekonomike; ndarjet politike dhe sociale si dhe normat e caktuara kulturore, kanë përgatitur terrenin për formimin e organizatave terroriste në botën islame dhe veçanërisht në vendet e Lindjes së Mesme. Prandaj, fakti që terrori lulëzon në një mjedis të tillë, nuk është surprizë. Me fjalë të tjera, edhe nëse njerëzit që jetojnë në këto anë nuk do të ishin myslimanë, në rrethana të tilla do të kishin lindur me shumë mundësi të njëjtat reagime; këto janë rrethanat ideale për krijimin e organizatave terroriste.

 

Është e qartë se përdorimi i disa vlerave islame nga organizata terroriste dhe individët të cilët kanë gisht në aktet e terrorit (kryesisht përdorimi i konceptit të Xhihadit) si slogane, ka bërë vendosjen spekulative nga njerëzit të lidhjeve midis Islamit dhe terrorit. Meqë disa grupe terroriste i quajnë aktet e tyre Xhihad, më parë po sqarojmë këtë koncept. Xhihadi është emri i të gjitha përpjekjeve, mundimeve dhe qëndresës që duhet të demonstrojë çdo mysliman, në mënyrë që të fitojë kënaqësinë e Zotit. Në këtë aspekt, Xhihadi është një formë adhurimi. Kështu që, duke u bazuar tek Kurani dhe Suneti, elementi thelbësor i marrëdhënieve ndërkombëtare është paqja, kurse lufta është një situatë e pazakontë. Disa nga rregullat që kanë lidhje me aspektin e luftës në Xhihad, janë:

 

    * Trajtimi i armikut me mëshirë

    * Ndalimi i torturës

    * Respektimi i armikut të vdekur

    * Mossulmimi i civilëve dhe i të pafajshmëve

    * Mosvënia në shënjestër e myslimanëve

    * Veprime me urdhra hierarkikë dhe me komandë

    * Ndihma humanitare ndaj armikut

    * Lufta si zgjidhje e fundit

 

Cili nga këto koncepte u zbatua nga terroristët në sulmet e tyre që i quajnë luftë për Xhihad? Sulmi i tyre ishte në kundërshtim të plotë me parimin e mossulmimin e civilëve dhe të pafajshme, kur të gjithë ata që u sulmuan tek kullat binjake, por edhe në vende të tjera ishin civilë dhe të pafajshëm në punën e tyre. Atje brenda kishte njerëz të të gjitha feve dhe më këtë fakt ata bien në kundërshtim edhe me një parim tjetër që lidhet me mosvënien në shënjestër të sulmeve myslimanë. E njëjta gjë edhe me faktin që lidhet me ndihmën humanitare ndaj atij që e quajnë armik dhe luftën si zgjidhjen e fundit. Mjafton një parim të mos zbatohet dhe sulmi nuk ka më asnjë lidhje me atë që thotë feja myslimane, dhe jo më një seri e tërë parimesh.

 

Terrorizmi është krim kundër njerëzimit. Feja dhe terrori janë dy koncepte që kurrë nuk mund të vihen së bashku. Terrori në vetvete nuk është vetëm një krim, në të përfshihen pesë krime të tjera. Një terrorist kryen krime kundër krijuesit, kundër njerëzimit, kundër individëve të veçantë, ndaj të cilëve është adresuar terrori, kundër vetvetes dhe kundër komunitetit, pjesëtar i të cilit është. Sipas Islamit, meqenëse “Zoti është ai që të jep jetën dhe vdekjen”, është e ndaluar të vrasësh. E drejta për të jetuar konsiderohet si e drejtë që i përket Zotit dhe jo e drejtë që u përket individëve. Gjithashtu, Kurani thotë “se të vrasësh një njeri është njëlloj sikur të vrasësh të gjithë njerëzimin”.

 

Vetë fjala islam rrjedh nga fjala “silm” që do të thotë pajtim, nënshtrim dhe shpëtim. Islami është një fe e unitetit. Është për t’u theksuar fakti se Islami është një fe e bazuar në besimin vetëm tek Zoti i Plotfuqishëm dhe i Gjithëmëshirshëm. Uniteti si term i bazuar në vizionin botëror në këndvështrimin e jetës dhe në sistemin shoqëror presupozon bashkësinë e njerëzve vëllezër dhe motra, barazi në të drejtat themelore dhe eliminimin e diskriminimit në bazë të gjinisë, ngjyrës, racës ose familjes dhe farefisit.

 

Feja urdhëron për dashuri, mëshirë dhe paqe. Terrori nga ana tjetër është e kundërta e fesë, është mizor, i pamëshirshëm dhe kërkon gjakderdhje e mjerim. Morali islam e sheh jetën të mbushur me paqe, mirëqenie, dashuri dhe hare për të gjithë njerëzit, ndërsa terrorizmi dëshiron një shoqëri ku të mbretërojë dhuna, frika, ankthi dhe kaosi. Koncepti i faljes dhe i tolerancës, i përshkruar në Kuran me fjalët “bëni lëshime ndaj njerëzve”, është një nga parimet më themelore të Islamit. Terrorizmi, i cili është kaq shqetësues për botën sot, është vepër e njerëzve të paditur, të cilët veprojnë në kundërshtim me moralin kuranor. Terrori dhe Islami janë në kundërvënie të plotë me njëri-tjetrin. Terrorizmi ndjek rrugën e agresionit, dhunës dhe barbarisë. Kurani këshillon për dëshirën e mirë dhe marrëveshje, ai e ndalon terrorin dhe i dënon ata që kryejnë veprime të tilla.

 

Një nga cilësitë më të rëndësishme të terrorizmit është se ai i zgjedh objektivat e tij pa bërë dallime. Fakti se ai i përcakton këto objektiva pa bërë dallim, është një nga arsyet më të rëndësishme për përhapjen e frikës, sepse askush nuk mund të ndihet i sigurt. Nëse njerëzit e dinë se janë objektiva të mundshëm pa pasur ndonjë arsye, askush nuk mund të ndihet i sigurt nga terroristët. Nuk ka asgjë që objektivat potenciale mund të bëjnë për t’u vetëmbrojtur, përderisa terroristët veprojnë sipas qëllimeve, në një kohë dhe vend që e zgjedhin vetë. Në këtë mënyrë, veprimet e terrorit në shoqëri janë arbitrare dhe të paparashikueshme. Ndërsa tek islamizmi nuk ekzistojnë objektiva surprizë dhe të gjithë e dinë se çfarë i pret dhe çfarë synojnë për të mirën dhe zhvillimin e botës së tyre sipas librit të shenjtë të Kuranit që paraqet gjithçka dhe që nuk lë shteg për krijime të tjera rishtazi plotësuese të tij që mund të ndryshojnë thelbin e vet apo të të gjithë moralit islam.

 

Si përfundim, mund të them që terrori është veprim i disa personave që nuk mbështeten kurrsesi në Kuran dhe në islamizëm. Kjo, sepse: Islami përgjithmonë, domethënë gjatë të gjitha kohërave, sanksionon paqe; Kurani e konsideron jetën njerëzore të lartësuar dhe të paprekshme; Islami e konsideron vrasjen si një nga mëkatet më të mëdha dhe si një krim kapital; në islam, edhe në kohë lufte ekzistojnë rregulla të cilat duhen zbatuar: njerëzit e pafajshëm të cilët nuk marrin pjesë në luftën nuk mund të vriten; në tërë historinë e luftërave, profeti Muhamed ishte personi i parën i cili vendosi rregulla për mënyrën e luftimit; Islami i konsideron sulmet vetëvrasëse si vrasje të tmerrshme; myslimanët kurrë nuk mund të vrasin njerëz të tjerë myslimanë; ata kanë respekt dhe dashuri për Zotin dhe respektojnë rregullat morale; dhe se çdo besimtar i fesë nuk mund të flasë dhe të bëjë asgjë që nuk e mendon dhe nuk e di vetë me siguri, nuk duhet të udhëhiqet nga askush tjetër veçse nga mendja dhe zemra e tij.

 

Nga Ina Zhupa

Islam evropian? Euroislam? Islamofobi o Eurabia?

21
Jul
1 comments | 0 recommendations

Edhe pas tri vitesh, kur karikaturat e Muhamedit nxitën reaksion në besimin mysliman, sërish shenja dhune fetare

 Islam evropian? Euroislam? Islamofobi o Eurabia?

 Të mërkurën më 11 maj 2010, në Universitetin e Uppsalas, vetëm 70 km larg Stokholmit, gjatë një konference për lirinë e shprehjes, karikaturisti suedez, Lars Vilks, i cili në vitin 2007 kishte pikturuar profetin Muhamed me trupin e një qeni, u bë viktimë e një agresioni të dhunshëm. Dëshirës provokuese të tij iu përgjigj dhuna e studentëve myslimanë shkaktuar nga fyerja e transmetimit të videos “Allah gay-bar”, e cila u projektua gjatë oratorisë së tij. Ky film i xhiruar nga artistja iraniane Sooreh Hera, me një skenografi të thjeshtë e të kuptueshme dhe nga persona me një nivel të ulët arsimimi, përzien me sfondin e hoxhallarëve e me këngët e sureve të Kuranit, melodinë e notave të muzikës hard rock nën skenat e të rinjve homoseksualë që puthen.

 

Alba Kepi

 Multikulturalizëm, asimilim kulturor apo një falimentim i politikave të bashkëjetesës midis etnive e kulturave të ndryshme? Akoma pa u mbyllur mirë polemikat fetare, sociale, politike e humane që disa vite më parë artisti danez Kurt Westergaard shkaktoi me karikaturat e profetit Muhamed, një tjetër ngjarje e ngjashme i risjell ato akoma më provokuese e më problematike. E këtë herë vendndodhja e tyre është Suedia, modeli skandinav i integrimit shumetnik e shumëkulturor, e shembulli i një politike ultratolerante ndaj emigrantëve myslimanë.

Të mërkurën më 11 maj 2010, në Universitetin e Uppsalas, vetëm 70 km larg Stokholmit, gjatë një konference për lirinë e shprehjes, karikaturisti suedez, Lars Vilks, i cili në vitin 2007 kishte pikturuar profetin Muhamed me trupin e një qeni, u bë viktimë e një agresioni të dhunshëm. Dëshirës provokuese të tij iu përgjigj dhuna e studentëve myslimanë shkaktuar nga fyerja e transmetimit të videos “Allah gay-bar”, e cila u projektua gjatë oratorisë së tij. Ky film i xhiruar nga artistja iraniane Sooreh Hera, me një skenografi të thjeshtë e të kuptueshme dhe nga persona me një nivel të ulët arsimimi, përzien me sfondin e hoxhallarëve e me këngët e sureve të Kuranit, melodinë e notave të muzikës hard rock nën skenat e të rinjve homoseksualë që puthen. Oratoria provokuese për lirinë e mohuar të shprehjes që Lars Vilks demonstroi me komentet se “kush e konsideron më të rëndësishëm e kush është më e rëndësishme Sharia islamike o jeta humane”, u ndërpre nga thirrjet e revoltuara arabisht “Allahu Akbar!” që mbi njëzet studentë myslimanë të pranishëm në sallë drejtuar ndaj tij shoqëruar dhe me një dhunë fizike. Lars Viks dëmtohet në kokë e tre persona arrestohen nën urdhrin e dhunës dhe shqetësimit të rendit publik. Për çfarë ndodhi, në të përditshmen stokholmeze “Svenska Dagbladet”, ky artist u shpreh: “Kjo dhunë është një disfatë për të gjithë!”

Disfatë ndaj kujt? E Evropës ndaj Islamit? E Islamit ndaj integrimit evropian? Apo frikë e disfatës ndaj disfatës?

Gjatë orëve të fundit kjo ngjarje ka rindezur në mediat më të rëndësishme ndërkombëtare polemika e debate mbi çka është e do të jetë e ardhmja e Evropës. Rizgjimit të frikës se Evropa po transformohet në Eurabi si një pjesë e pandarë e botës islame, debateve për integrimin perëndimor e nënshtetësinë e emigrantëve myslimanë, i mbetur hapur tashmë në çdo shtet evropian, komuniteti mysliman i ndershëm i përgjigjet: “Myslimanët janë në Evropë. Janë prej shekujsh, o nga emigrimet e fundit, o nga ndryshimet progresive të autoktonëve. Myslimanët janë evropianë ekzaktësisht të barabartë si të krishterët, me të njëjtat të drejta e detyra, me të njëjtat liri e limite. Myslimanët janë në shtëpinë e tyre. Kjo duhet kuptuar njëherë e përgjithmonë e duhet sforcuar për të riforcuar sensin e përkatësisë myslimane në shtëpinë e përbashkët evropiane”.

Vite më parë, kur në Danimarkë u shfaqën për herë të parë karikaturat për profetin Muhamed, jo pak qenë ata që menduan se flitej për një artist gjysmë të çmenduar, i eksituar nga dëshira për të mbledhur rreth vetes shumë njerëz. U fol e u rifol për multikulturalizmin, për liberalizmin, për respektin e për gjithçka që përmbante e duhej të përmbante Evropa. Sot hipokrizia e debateve ndaj vellos myslimane, ndaj ngritjes së minareve apo nënshtetësisë evropiane të qytetarëve myslimanë shoqërohet nga një alarm të pajustifikuar që herë pas here rishfaqet në marrëdhënie me konceptin Eurabia ose më mirë rreziku i parashikuar mbi një arabizim apo islamizim të Evropës. Madje, jo i vogël është numri i atyre që i konsiderojnë myslimanët në Evropë “një bombë demografike”.

Ndërsa media ofron çdo ditë nudizëm e seks në emër të artit e lirisë së individit, një grua myslimane konsiderohet “rrezik i hapur e prezent” për shoqërinë evropiane; ndërsa hartohen referendume për moslejimin e ngritjes së minareve, pajisen me licenca tregtimi e shtohet çdo ditë numri i dyqaneve “hallall” nëpër rrugët e qyteteve evropiane.

 “Evropa po vdes e po humbet memorien historike. Brenda vitit 2050 Euroja nuk do të njihet më. Në vend të kafeneve romantike në bulevardin “Saint-Germain” të Parisit, do të rreshtohen dyqanet e mishit “hallall” e do të ketë veçse hookah bar ku do të thithet nargjileja, kartelat rrugore do të shkruhen në arabisht, gratë do të mbulojnë kokën e fëmijët evropianë nga veriu në jug do të mësojnë të lexojnë Kuranin”. Pak a shumë kjo është ajo çka autorët e tipologjisë së re letrare për Eurabinë duan të na bëjnë të besojmë.

 

 Eurabia: Gjini letrare apo teori gjeopolitike?

 Edhe pse konsiderohet një transformim i ardhshëm i Evropës, sot nuk ekziston asnjë ideologji zyrtare për “Eurabizmin”. Në konceptin gjeofizik, Eurabia përmbledh shtetet e Lidhjes Arabe, shtetet e pranishme apo të ardhshme të Bashkimit Evropian e Izraelin. Eurabia, si një teori gjeopolitike, i referohet një skenari të ardhshëm hipotetik shkaktuar nga emigrimi masiv islamik, nga niveli i ulët i lindjeve në popullsinë autoktone evropiane, në dallim me nivelin e lindjeve tek emigrantët islamiko-arab, gjë që do të sjellë brenda pak dekadave një humbje të identitetit deri në rrezikim të të drejtave civile në këtë territor.

 

Për herë të parë, Eurabia si koncept u formulua nga shkrimtarja me origjinë hebraike, BatYe’Or, e cila prej vitesh i dedikohet studimit të statusit të komuniteteve etniko-fetare në vendet islamike, të cilit i ka dhënë emrin “dhimmitudine”, duke përkufizuar dhe aspektet e tyre kryesore politike, ekonomike e kulturore. Libri i saj i botuar më 2005 “Eurabia. Se si Evropa është kthyer në antikristiane, antiamerikane, antiperëndimore e antisemite” qe e vazhdon të jetë burim studimi, debati e polemike në literaturën politike e historike ndërkombëtare. Eurabia qe në origjinë titulli i një buletini të publikuar nga Komiteti Evropian për koordinimin dhe lidhjen e miqësisë me vendet e botës arabe, kurse sipas BatYe’Or (alias Gisèle Littman), u publikua në bashkëpunim me France-Pays Arabes, të përditshmes së shoqërisë së solidaritetit franko-arab, me Middle East International (Londra), e me Grupin e Studimeve të Lindjes së Mesme. Gjatë krizës energjitike të vitit 1973, Komuniteti Ekonomik Evropian hyn në një dialog euroarab me Lidhjen Arabe. Studiuesja BatYe’Or përdor këtë term duke i bashkangjitur dhe zhvillime politike. Ajo shikonte te Eurabia rezultatin e një politike evropiane të udhëhequr nga Franca me qëllimin fillestar të rritjes së fuqisë së Evropës ndaj SHBA-së me anë të bashkërendimit të interesave me vendet e Lidhjes Arabe. Ajo e përshkruan Eurabinë si “një aparat që e ka bërë Evropën kontinentin e ri të dhimmitudines e që nisi 30 vjet më parë nën nxitjen e Francës. Kjo politikë u projektua mjaft fshehtësisht jashtë traktateve zyrtare nën emrin e pafajshëm të dialogut euroarab… Kjo strategji, gjysma e së cilës qe krijimi i një bashkësie euroarabe, panmesdhetare, do të lejonte qarkullimin e lirë të njerëzve e të tregtisë, duke përcaktuar mbi të gjitha emigrimin politik të arabëve në Bashkimin Evropian”. Gjithnjë, sipas BatYe’Or, prej më shumë se 30 vitesh Evropa “planifikon” me vendet e Lidhjes Arabe, shkrirjen e dy brigjeve të Mesdheut në një, gjë që ka përcaktuar edhe lindjen nga ajo të konceptit Eurabia. Më pas ky term u mor, u përdor e u bë akoma më popullor nga shkrimtarja italiane Oriana Fallaci, e cila e konsideron Eurabinë “një teori komploti, si konspirimi më i larmishëm që ka krijuar historia moderne”. Për Fallacin Evropa po kthehet gjithnjë e më shumë në një provincë të Islamit, në një koloni islamike”.

Më pas do të jetë gazetari Matt Carr, i cili do ta përshkruajë këtë koncept me skenarin: “Sipas parashikimeve më të këqija rreth Eurabisë, duke u nisur nga fundi i shekullit XXI, pjesa më e madhe e qyteteve evropiane do të pushtohet nga emigrantë të huaj arabfolës, pjesa më e madhe e kontinentit evropian do të jetë nën ligjet e Sheriatit islamike, e Kristianizmi do të pushtojë së ekzistuari ose do të jetë në kushtet e një dhimmitudine. Në botën inkube të Eurabisë, e ardhmja do të bëhet edhe një herë e kaluar, e të krishterët dhe hebrenjtë do të jenë një pakicë e një deti islamik, kishat e katedralet do të zëvendësohen me xhami e minare, ezani do të ushtojë nga Parisi në Roterdam, nga Londra në Romë, e reliket e një Evrope judeo-kristiane, do të shndërrohen në enklave të vogla arabofone e gra me burka”.

 Shkrimtari Daniel Pipes në korrik të 2008-s për “The Austrialian” shkruante: “Evropë o Eurabi? Është në lojë e ardhmja e Evropës… Parashikoj se do të materializohet plotësisht për Evropën një nga tri rrugët e përshkruara më poshtë: një dominim mysliman, refuzimi i myslimanëve ose një integrim harmonik mes tyre… Me Evropën ne të gjithë do të hyjmë në një tokë të panjohur”.

 Lars Hedegaard i periodikut danez “Free Press Society” konsideron mundësinë që Evropa të transformohet në fragmente shumëzonash të rrethuar nga territore të huaj. “Praktikisht janë dy mundësi, - shkruan ai. - 1. Popullsia perëndimore do të pranojë fatin e saj të paevitueshëm si dhimmitudine nën qeveritarët e rinj myslimanë. 2. Do të pranojë ngritjen e shoqërisë myslimane me kushtin që paralelisht të ruhet dhe e shoqëria e saj”. Editoralisti britanik, Melanie Phillips, dënon ashpërsisht të majtën angleze, që sipas tij, “ua ka dorëzuar vendin vëllezërve myslimanë”.

Pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001, në SHBA, librat për Eurabinë rezultuan e vazhdojnë të jenë të suksesshëm. Berlinski në librin e tij “Menace in Europa” botuar më 2006 shkruan: “Në qoftë se Evropa nuk është në gjendje të integrojë emigrantët e saj e nëse Evropa është terreni i rritjes së antiamerikanizmit e të islamizmit radikal, ky është problemi ynë”. “Rreziku që sjell shtimi i radikalizmit islamik në Evropë është për SHBA, aq i rëndë sa qe nazizmi gjatë viteve ’40 në Evropë, - shkruan Tony Blankley në “The West’s Last Chance” (2005). - E nuk duhet ta lejojmë që të humbasim Evropën”. Pra, literatura eurabike flet ashtu siç thotë Thornton në “Decline and Fall”, “për një Evropë që po shkon drejt vetëvrasjes”.

 

Kritikat mbi Eurabinë

Punimi i parë akademik kritik ndaj teorisë së Eurabisë u realizua nga studentët Justin Vaisse e Jonathan Laurence të Brooking Institute. Duke analizuar myslimanët në Francë, libri i tyre “Sfidat politike e fetare të integrimit islamik në Francën moderne” ka si synim rikthimin në shifra normale “të katër miteve të shkollës alarmiste Eurabia”: - popullsia myslimane nuk do të rritet me kaq shpejtësi sa shfaqet në këtë skenar; - myslimanët nuk do të jenë një grup kaq monolitik e koherent; - do të jenë myslimanët që do të kërkojnë integrimin social e kulturor në Evropë; - me gjithë numrin e tyre, myslimanët do të kenë një ndikim të vogël në politikën e huaj. Në një nga punimet e tij të fundit, historiani francez Justine Vaisse dokumenton se karakteri demografik i mbrojtësve të Eurabisë është plotësisht fals. Ai thotë: “Sipas një prej studimeve më të mira të National Intelligence Council (NIC) të SHBA-së, ekzistojnë 18 milionë myslimanë në Evropën Perëndimore, baras me 4,5 të popullsisë. Kjo përqindje është akoma më e ulët po të marrim në konsideratë të 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Në të ardhmen do të asistojmë pa dyshim në një rritje të kësaj përqindjeje që është e vështirë të imagjinohet rritja e saj mbi 10% e po ulet me shpejtësi niveli i fekonditetit midis myslimanëve, falë fëmijëve të emigrantëve që konformohen progresivisht me standarde sociale e ekonomike të larta”.

Sondazhet e fundit të Gallup shprehin se mjaft myslimanë evropianë kombinojnë lumturisht identitetin e tyre nacional e fetar, ashtu si dhe një studim i Universitetit të Harvardit i 2009-s, i realizuar nën kujdesin e Ronald Inglehart e Pippa Norris demonstron se si për një periudhë të gjatë kohe vlerat kulturore bazë të emigrantëve myslimanë evoluojnë për t’u konformuar me kulturën dominuese të shoqërisë evropiane në të cilën jetojnë. Siç sqaron një studim i Pew Research Center: “Myslimanët në Evropë preokupohen për të ardhmen e tyre, por interesi i tyre është më shumë ekonomik sesa fetar e kulturor”. Tensionet e krijuara shkaktohen kryesisht nga racizmi e jo nga një ndërluftim i jashtëzakonshëm midis kulturave.

 Sipas mbështetësve të Eurabisë, myslimanët nuk do të bëhen dot kurrë evropianë me zgjidhjen e vetme: Mbajini larg myslimanët nga Evropa!

Por duan apo s’duan ata, kjo gjë është realitet. Gjithkush duhet ta kuptojë se Evropa është shtëpia e tyre e prej vitesh myslimanët janë banorë legjitimë, të vlefshëm e të respektueshëm të këtij territori.

E pikërisht nga Franca, vendakuza e lindjes së konceptit “Eurabia” nga shkrimtarja me origjinë hebraike BatYe’Or, nën profecinë e urtësinë politike të thënies së njohur të Francois Mitterrand, emigrantët myslimanë pas çdo libri eurabik të botuar, pas çdo tipi karikature apo videoje provokuese, ndiejnë të thonë: “Jemi pjesë e kontinentit evropian e jo një ballkon që shfaqet mbi Atlantik”.

Kufijtë e forcës

22
Jun
0 comments | 0 recommendations

Amos Oz

Për dy mijë vjet, izraelitët njohën peshën e forcës vetëm prej goditjeve mbi shpinat e tyre. Tanimë, për shumë dekada, ne jemi aftësuar ta përdorim edhe vetë forcën. Por jo vetëm kaq, kjo fuqi na ka helmuar shumë e më shumë. Gjithnjë e më shumë, ne e kemi bindur veten se mund ta zgjidhim çdo problem duke përdorur forcën. Një njeriu me çekiç të madh - thotë një fjalë e urtë - çdo shqetësim i duket si gozhdë, që mund ta godasë.

            Në periudhën përpara se të themelohej shteti izraelit, një pjesë e madhe e popullsisë izraelite më Palestinë nuk i kuptonin kufijtë e forcës dhe menduan se ajo duhej përdorur për të plotësuar çdo dëshirë. Për fat të mirë, gjatë viteve të para të Izraelit, liderë si David Ben-Gurion dhe Levi Eshkol, e dinin fare mirë se kjo forcë ka kufij dhe kanë qenë të kujdesshëm për të mos i tejkaluar ata. Por, qysh prej Luftës së Gjashtë Ditëve në 1967, Izraeli ka krijuar forcën e tij ushtarake. Është krijuar ideja: Çfarë nuk mund ta arrijë forca, e arrin një forcë edhe më e madhe.

            Bllokimi izraelit në Rripin e Gazës është njëri prej fruteve më të shëmtuar të këtij koncepti. Kjo ide e ka origjinën në keqkuptimin e të menduarit se Hamasi mund të luftohet me forcën e armëve, në terma më të përgjithshme, se konflikti me palestinezët mund të shpërbëhet, në vend që të zgjidhet.  

Por Hamasi nuk është thjesht një organizatë terroriste. Hamasi është një ide. Një ide e dëshpëruar dhe fanatike, që u zhvillua nga mërzia dhe zhgënjimi i shumë palestinezëve. Asnjë ide nuk ka fituar deri tashmë përmes forcës - as nga shtrëngesat, as nga bombardimet, as nga shtypja e zinxhirëve të tankeve, as nga komandot marine. E vetmja mënyrë që Izraeli të nxjerrë jashtë loje Hamasin, është mbërritja e shpejtë e një marrëveshjeje me palestinezët për ngritjen e një shteti të pavarur në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës në kufijtë e vitit 1967, me kryeqytetin e tij në Lindje të Jeruzalemit. Izraeli duhet të nënshkruajë një marrëveshje paqeje me Mahmoud Abbas dhe qeverinë e tij dhe kjo e kthen konfliktin Izrael-Palestinë në një konflikt mes Izraelit dhe Rripit të Gazës.

            Ky konflikt i zgjatur mund të zgjidhet, në fund, vetëm përmes negociatash me Hamasin, në mënyrë të arsyeshme, me integrimin e lëvizjes Fatah të Abbasit me Hamasin. Edhe sikur Izraeli të nisë edhe njëqind anije më shumë drejt Gazës, edhe sikur të dërgojë atje njëqind herë më shumë trupa për të pushtuar Rripin e Gazës, pavarësisht se sa herë të tjera Izraeli do të aktivizojë ushtrinë e tij, policinë dhe forcat sekrete, nuk do të mund ta zgjidhë problemin. Çështja është se ne nuk jemi të vetmit në këtë tokë, as palestinezët nuk janë të vetmit në këtë tokë. Ne nuk jemi të vetmit në Jeruzalem dhe palestinezët nuk janë të vetmit në Jeruzalem. Derisa ne, izraelitë e palestinezë, do t’i njohim konsekuencat logjike të këtij fakti të thjeshtë, ne të gjithë do të jetojmë një gjendje të vazhdueshme izolimi - Gaza nën shtrëngesën izraelite, Izraeli nën shtrëngesën ndërkombëtare dhe arabe.

            Unë nuk e nënçmoj forcën e armëve. Forca ushtarake është jetike për Izraelin. Pa të ne nuk mund të mbijetojmë as edhe një ditë të vetme. I mjeri vend që e nënçmon vlerën e armëve. Por ne nuk duhet t’ia lejojmë vetes, qoftë edhe për një çast të vetëm, që forca ushtarake të mos ketë vetëm vlerë mbrojtëse - për të mbrojtur shkatërrimin apo pushtimin e Izraelit, për të mbrojtur jetën dhe lirinë tonë. Çdo përpjekje për ta përdorur forcën jo si mbrojtëse, jo për vetëmbrojtje, por në vend të kësaj, si një mjet për të zgjidhur forcërisht probleme dhe për të shtypur ide, do të çojë në fatkeqësi të reja, sikurse kjo e fundit ku ne e futëm tashmë veten e që ndodhi në ujërat ndërkombëtare e të hapura përballë Rripit të Gazës.

 

Përktheu: Flutura Açka

 

Arumunët, minoritet kulturor apo etnik?

20
May
0 comments | 0 recommendations

Në Shqipëri është hapur debati publik lidhur me popullsinë vllahe ose arumune, statusi zyrtar i së cilës është ai i një grupi etno-kulturor. Presidenti rumun, Traian Basescu, kërkoi statusin e minoritetit kombëtar.

 Origjina e popullsisë vllahe ose arumune ka qenë dhe mbetet një objekt studimi i historianëve perëndimorë që merren me Ballkanin. Teza e tyre mbizotëruese është ajo e një popullsie të lashtë me origjinë trako-ilire.

 Prof. Beqir Meta, studiues, drejtor i Institutit të Historisë në Tiranë, thotë se kjo tezë për origjinën e vllahëve përkon edhe me pikëpamjen e historiografisë shqiptare. "Autorë rumunë mbrojnë tezën se më shumë gjasa ka që kjo të jetë një popullsi trako-ilire, e romanizuar, që ka qëndruar për një kohë të gjatë në këto territore dhe ka ruajtur karakteristikat e saj deri në ditët e sotme".

 Historia duket se ka bërë të vetën, duke mos i dhënë mundësitë popullsisë vllahe të krijojë një shtet të vetin, por të vijë duke u asimiluar dhe integruar me popullsitë e vendeve ballkanike. Vllahët sot nuk janë një popullsi kompakte në një territor të caktuar, por gjenden të shpërndarë në grupe etno-kulturore në Shqipëri, Maqedoni, Greqi, Serbi, Rumani, madje deri në Kroaci, pa pasur një komb mëmë. "Nuk është kombi rumun kombi mëmë i popullsisë vllahe, prandaj edhe vllahët quhen "arumunë". Kur kombi rumun është krijuar, ky grup etno-kulturor ka ekzistuar në territoret e veta, ka një lashtësi shumë më të madhe se momenti i formimit të kombit rumun", - thotë Beqir Meta.

 Kjo popullsi e lashtë me origjinë trako-ilire humbet në rrjedhat e historisë për t’u rishfaqur në dokumentet historike, në shek V dhe VI. Në shek. XVII ajo paraqitet mjaft e fuqizuar dhe bashkë me shqiptarët krijon në qytetin e Voskopojës një kulturë tepër të përparuar për kohën. Rënia e Perandorisë Otomane dhe krijimi i shtetit të pavarur shqiptar i gjen vllahët si pakicë etno-kulturore. Një komision hetimor i Lidhjes së Kombeve, i ardhur në Shqipëri në vitin 1921, për të verifikuar dhe regjistruar minoritetet etnike, nuk i klasifikon vllahët si një minoritet etnik, por një grup etno-kulturor të integruar në shoqërinë e shumicës shqiptare. Komisioni njohu si minoritete kombëtare në Shqipëri atë grek, maqedonas dhe serbo-malazez, që janë të tillë edhe sot e kësaj dite. Që nga formimi i shtetit shqiptar dhe deri më sot ka ndodhur një integrim ekonomik, politik dhe shpirtëror i popullsisë vllahe me atë shqiptare.

 Këto argumente janë në bazë të qëndrimit kundër, që historiani Beqir Meta ka ndaj kalimit të statusit të popullsisë vllahe në Shqipëri nga ajo e një grupi etno-kulturor në atë të një minoriteti kombëtar. "Të përpiqesh të krijosh minoritete kombëtare atje ku ato nuk janë, është e rrezikshme. Kjo nuk është as në dobi të integrimit evropian, as të proceseve demokratizuese që ndodhin në Shqipëri. Dhe ajo që është më e rëndësishme, nuk është në dobi as të popullsisë vllahe që tani e sheh veten të njësuar me popullsinë shqiptare, të barabartë në të gjitha pozicionet drejtuese të shtetit, ekonomisë, shkencës, kulturës, artit”.

 Por nuk mendon kështu Jani Gusho, anëtar i kryesisë së shoqatës “Arumunët e Shqipërisë”, e cila që prej 15 vitesh kërkon që popullsia vllahe të gëzojë statusin e minoritetit kombëtar. “Përderisa flitet për një popullsi vllahe që jeton në Shqipëri, Maqedoni, Greqi, Serbi, Bulgari, ajo ka një gjuhë të përbashkët që na lidh kudo që jemi. Karakteristika kryesore e një popullsie është gjuha”.

 Ai thotë se vllahët në Shqipëri nuk janë të diskriminuar, por marrja e statusit të minoritetit kombëtar do t’u krijojë atyre mundësi më të mëdha për të ruajtur pikërisht gjuhën dhe traditat, sidomos kur Shqipëria, si një vend potencial për anëtarësim në BE, do të ketë detyrime të tjera nga ato që ka sot, për të plotësuar ndaj minoriteteve kombëtare.

Nga Ani Ruci

 

Ballkano – egjiptianët duhet të thonë fjalën e tyre.

27
Apr
0 comments | 1 recommendations

Ballkano – egjiptianët  duhet të thonë fjalën e tyre.

 Nga Behar Sadiku*          

( Lidhur me nismën e Qeverisë për të bërë rregjistrimin e përgjithshëm të popullatës në Shqipëri)

 Regjistrimi që do të bëjë qeveria shqiptare natyrisht nuk ka se si të mos zgjojë edhe interesin e njërës nga pakicat më problematike për shoqërinë dhe shtetin, atë të ballkano-egjyptianëve dhe romëve, apo e thënë me një farë etikete disi më të rrumbullt, atë të shqiptarëve me ngjyrë, të cilët për nga numericiteti janë natyrisht dy nga grupimet  më të mëdhaja, duke e kaluar me disa herë treguesin real të minoritarëve grekë në Shqipëri. Por për fatin e tyre jo fort të mirë, pikërisht në kapërcyllin e dekadës së parë të shekullit XXI këto dy pakica të konsiderueshme në sasi, janë ende larg integrimit të tyre në shoqërinë shqiptare. Ndoshta rasti i nisiativës qeveritare më jep mundësinë të shpreh edhe unë si kryetar i shoqatës së ballkano-egjiptianëve “Nefreta” disa mendime lidhur me problemin në fjalë.

Së pari duhet të hedh pak dritë mbi atë që njëri nga përfaqësuesit e qeverisë e tha disi të mjegullt, që ky rregjistrim nuk është se do të pasqyrohet në aktet e rregjistrimit të shtetasve, pra në Gjendjen civile. Në se e kam kuptuar drejt dhe tharmi i fjalës së tij është ky atëhere që në krye do të thoja se nisja nuk është e mbarë dhe aq më tepër me interest ë palëve.  Rregjistrimi i përgjithshëm i popullsisë nuk ka se si të jetë dëshirë subjektive e qeverisë, një  farë “tek-u” apo ku e di se çfarë. Në se ky projekt është i nevojshëm dhe dobi prurës, atëhere të “çelen arkapiat” dhe grupet e interesuara të shfaqin mendimet e tyre haptas dhe pa ekuivoke lidhur me problematikën, mënyrën e kryerjes, efektet pozitive  boshtore në favor të shtetit dhe shoqërisë , pa lënë mënjanë dhe diferencat anësore, apo “qejf mbetjet.” Rregjistrimi i popullatës është një event i madh që nuk bëhet shpesh. Shqipëria ka bërë ashtu si ka mundur  rregjistrime në Mbretërinë e A.Zogut dhe regjimi komunist u përpoq ta bëjë atë në vitin 1974, ku natyrisht rregjistrimi që u quajt i përgjithshëm ishte tejet i politizuar dhe solli po aq dëme sa dhe dobi. Pra, në se duhet rregjistrimi i popullatës  le të bëhet, bile në mënyrën sa më të mirë që të jetë e mundur, dhe të gjitha rezultatet që do të dalin të gjejnë pasqyrimin e tyre real në  rregjistrat e gjendjes civile. Qeveria edhe pse e thotë si me gjysmë zëri, në të vërtetë ka asërye që kërkon të merret me këtë problem. Mund të jenë shtysa të zhvillimeve të brendëshme, po aq sa mund të ketë edhe diktate që vijnë në formën e propozimeve nga kancelaritë e Europës. Por unë do të thoja se më e rëndësishme se sa këto të dyja janë  përpjekjet e brishta dhe tepër modeste të kësaj qeverie .( se për të kaluarat e radhës as që bëhet fjalë!) në drejtim të integrimit qoftë edhe formal të ballkano-egjiptianëve dhe romëve. Problemi që ende mbetet në kuadrin e rebusit, pra i pa zbardhur deri tani, apo disi i mjegulluar është  në se ky veprim ka në themel vullnetin e qeverisë shqiptare që ti përmirësojë seriozisht  politikat e saj për integrimin e këtyre shtresave të mëdha që edhe pse nuk i përkasin kombit shqiptar, prania e tyre (veçanërisht e ballkano-egjiptianëve) prej dhjetra shekujsh i ka bërë të ndjehen vërtetë shqiptarë. Por kjo nuk do të thotë se duke u vetëndjerë kështu nga ana formale hallet dhe problemet e tyre morën fund. Absolutisht jo. Popullata ballkano-egjyptiane në veçanti ka bashkëjetuar me shqiptarët që në kohrat e “qysh kur-it” duke u grupuar urtësisht aty nën këmbët e kalave, e duke u afruar djersën e mundin e saj te farka e kudhra për t’u ndihmuar luftëtarëve shqiptarë në luftë me shpatat e jataganët, me heshtat e mburojat., por dhe me plugjet e parmendat, për ta punuar tokën në kohët e paqës. Rrinin aty, të urtë deri në dhëmbje, por të  harruar nga vuajtjet , me instrumentat muzikorë në duar për tua bërë edhe më të mirë fitoren trimave, për tua bërë të bukur dasmat e gëzimet,  e gjithë se si për t’ua lehtësuar sipas rastit dhe diçka nga dhimbja e tyre. Prandaj ndjehen po aq shqiptarë, apo e thënë në një stil modern- shqiptarë me ngjyrë.

Po le të kthehemi edhe një herë te nisma e qeverisë sonë lidhur me rregjistrimin e popullatës.  Nga ana tjetër duhet theksuar se Qeveria nuk është OJF dhe nuk ka asnjë arësye që të shpenzojë energji njerëzore dhe  shuma të konsiderueshme financiare, kur ato mund t’i përdorë në sistemimin me strehim ( aq të domosdoshëm për këto pakica me probleme edhe të trashëguara), në punësimin e shtresës që unë i përkas, se vërtetë nevojat e kësaj shtrese, pra të popullsisë shqiptare me ngjyrë janë shumë të mëdha, deri dhe të thekshme, kur mendojmë se pas pak kohësh mundet të na hapet edhe dera për në Europën demokratike e të rregulluar si s’ka më mirë.

Ne na intereson ta marrim  si  vullnet  te  lire  dhe  te  drejte  te  qeverise vendimin për të kryer këtë akt. Pergezime  të sinqerta për  inisjativen, por që kendej   zenë e nxjerrin kokë edhe problemet. I pari  eshte ai mes të vertetës dhe të gënjeshtrës në të quajturin vetëdeklarim. Gjithsesi veprimi duhet shoqëruar edhe me provat përkatëse të cilat duhet të gjenden në aktet e ndryshme të rregjistrave të gjendjes civile të trashëguara ( kur është fjala për pakicat greke apo sllav-folëse) Por më e rëndësishmja përsa i përket këtij akti me përmasa të mëdha (rregjistrimit të përgjithshëm të popullatës), në raport me pakicat me ngjyrë ( ballkano-egjiptianë si dhe romë) është se cili do të jetë në fund të fundit përfitimi i palëve.  Çfarë do t’u sjellë këtyre pakicave më të mëdhajat në vend ky evidentim nga ana e shtetit shqiptar? Po qe se bëhet fjalë vetëm për ca statistika të thjeshta, flakët e të cilave mund të ngrohin “disa pak duar” kjo natyrisht nuk është e mirë dhe këtej ravijëzohet definicioni që të dyja komunitetet tona s’kanë asnjë arësye për tu marrë me të. Në se pas kësaj shteti, qeveria dhe të gjitha hallkat e sistemit do të punojnë seriozish në favor të integrimit social, ekonomik, e politiko-shoqëror, duke respektuar të gjitha konventat dhe dokumentat e tjera ku Shqipëria ka nënshkruar, kjo po, do të ishte vërtetë pozitive dhe në këtë mënyrë ne nuk do të hezitonim aspak për të  shprehur përkatësinë tonë. Sjellja politike e deritashme, në përgjithësi është karakterizuar nga një qëndrim mënjanues i pushtetit ekzekutiv qendëror  e vendor ndaj këtyre komuniteteve. Përfaqësimi në politikë, administratë shtetërore etj, në përputhje me prurjen numerike të këtyre pakicave nuk ka funksionuar. Nuk bëhet fjalë edhe në këtë fund dekade të shekullit XXI që njerëz me ngjyrë të përfaqësohen në parlament, duke bërë kësisoj një farë “diskriminimi pozitiv”, gjë që parlamenti ynë e vuri në funksion me anën e një ligji të posaçëm duke tagruar kësisoj përfaqësimin numerik të barazisë gjinore. Le të diskutojmë për të gjitha problemet dhe hallkat e kësaj inisiative dimensionale të qeverisë sonë, dhe të mos e shohim atë me syza paragjykimi, por me sinqeritet dhe mendje të qetë dhe koherencë. Ne shpresojmë se do të jemi të mirë pritur në median shqiptare, ku zëri ynë do të duhet të dëgjohet ndoshta edhe më tepër se i të tjerëve. Le të diskutojmë e në fund të bëjmë atë më të mirën. (Botuar ne kuadrin e projektit te AFALC)

 

* Kryetar i shoqatës “NEFRETA” të ballkano-egjiptianëve

 Ambasador për Paqe

Një saktësim për inkurajimin e homoseksualitetit

27
Apr
1 comments | 0 recommendations

Një saktësim për inkurajimin e homoseksualitetit

 Nga Fitim Zekthi

 

Me arsyetime aq te këqija sa gjithmonë, në Shqipëri është çelur një debat për homoseksualitetin, ku zërat më shungullues gjakojnë ta inkurajojnë atë, duke e cilësuar një prirje seksuale të natyrshme, e cila duhet të respektohet. I është bërë thirrje shoqërisë të tregohet e ndriçuar dhe të mos gjykojë nga errësira, madje nga errësira brenda shpellës. Në krye duhet thënë se askush s’ka të drejtë të trajtojë keq dikë për shkak të homoseksualitetit, qoftë ky mjek, polic, gjyqtar, nëpunës etj., pasi barazia e gjithkujt para ligjit është e drejtë themelore, por inkurajimi i homoseksualitetit dhe arsyetimet e shtrembra për të nuk mund të jenë një e drejtë e askujt. Ka një keqkuptim të jashtëzakonshëm për homoseksualitetin në paraqitjen e tij si një sjellje të natyrshme. Shoqata që parazitizmin e kanë gjetur si mision, në vend të keqkuptimit në këtë botë, kërkojnë respektimin e lirive të njeriut, duke ngatërruar rëndë të drejtat e përnjëmendta me ato abstrakte. Pa u kequr asfare për dijen dhe të vërtetën dhe duke mbllaçitur gjithfarë tagjie që u del para, në këtë rast homoseksualiteti, këta drejtues shoqatash, por edhe ca të tjerë sociologë e psikologë kërkojnë heqjen e tabuve... (vijojnë disa klishe të tilla pakuptim)… respektimin e një Shqipërie moderne. Ta tjetërsojnë në të natyrshme, madje edhe të shëndetshme apo të drejtë sa heteroseksualiteti këtë sjellje, po gjakojnë pa ndalur edhe gazetarë, opinionistë e diplomatë të ndryshëm. Në gazetën “Panorama” disa ditë më parë, z Kajsiu shkruante se homoseksualiteti është i natyrshëm dhe se ajo është hequr nga lista e sëmundjeve me kohë. Fakti që tek kafshët ekziston një sjellje e tillë, mëtonte ai, tregon se ajo është e natyrshme. Shembujt në histori nuk mungojnë. Edhe shumë të tjerë kanë shkruar gjëra të ngjashme dhe duket se opinioni në vend po dorëzohet para një fakti të tillë. Natyra njerëzore dhe ajo e kafshëve është krejt e ndryshme dhe është e pamundur të kuptosh se kur tek kafshët shfaqet një sjellje seksuale e caktuar, ndonëse atje janë vërejtur rrallë sjellje homoseksuale. Simon Le Vay, një prej studiuesve më të njohur të neurologjisë në botë, profesor në Harvard Medical Center, thotë në studimin e tij “Miti homoseksual tek kafshët” se ndonëse janë vërejtur sjellje homoseksuale, është e pamundur që kafshët të kenë një sjellje të tillë kohëgjatë pa u përfshirë në sjellje heteroseksuale. Një orientim homoseksual tek kafshët është një gjë gati e paqenë. Më anë tjetër, dr. Antonio Pardo i Universitetit të Navarres, Spanjë, shkruan: “Të flasim drejt, tek kafshët nuk ekziston homoseksualiteti. Për arsye të mbijetesës, instinkti i riprodhimit tek to është gjithnjë i drejtuar tek seksi i kundërt. Kur janë vërejtur marrëdhënie me seks të njëjtë, ka pasur të tjera instinkte që kanë ndërhyrë e kryesisht ato të dominimit që janë shumë të zhvilluara tek kafshët”, - shkruan dr. Pardo. Për ta parë në një kënd tjetër, tek kafshët vërehet edhe kanibalizmi, por kjo nuk do të thotë se ky është i natyrshëm për njerëzit. Argumenti në mbrojtje të faktit që homoseksualiteti duhet respektuar sepse ai është biologjik me shembull kafshët, do të ishte fatkeq përpara ngrënies së të voglit nga i madhi tek felinët për shembull.

Dr. Dean Hamer, një prej gjenetistëve më të mëdhenj në botë, kërkues në Qendrën Kombëtare kundër Kancerit, aktivist gay dhe vetë gay, pas vitesh kërkime në përpjekje për të gjetur një gjen përgjegjës për sjelljen gay, thotë në revistën The science of Desire P. Copeland dhe D. Hamer (1994): “Nuk mund të thuhet se ka një gjen gay”. Psikiatri me influencë botërore Jeffrey Satinover, thotë në librin e tij “Homoseksualiteti dhe politika e të vërtetës” (1996, Grand Rapids, MI: Baker Books): "Si çdo sjellje tjetër komplekse dhe si çdo gjendje mendore, homoseksualiteti është … as ekskluzivisht biologjik dhe as psikologjik, por është rezultat i një përzierjeje faktorësh ku predominojnë rrethanat pas lindjes (të tilla, si prindërit, sjellja e motrave dhe vëllezërve dhe kultura e sjelljes) dhe në një tërësi komplekse zgjedhjesh të detyrueshme të cilat marrin jetë në fazat kritike të zhvillimet si edhe faktorë gjenetikë. William Byne, psikiatër me doktoraturë në Biologji dhe Bruce Parsons (1993) thonë në studimin e tyre "Orientimi seksual tek njerëzit: Rivlerësim i teorive biologjike", “Arkivat e përgjithshëm të psikiatrisë”, f. 50, nr. 3, se pasi analizuan me kujdes të gjitha studimet e rëndësishme biologjike për homoseksualitetin, nuk gjetën asgjë që të mbështesë teorinë e shkakut biologjik të homoseksualitetit. Shkencëtarët psikiatër Friedman dhe Downey shkruajnë në “Journal of Neuropsychiatry”, vol. 5, no. 2, Spring l993, se "një model biopsikosocial” i shpjegon më mirë shkaqet, me kombinacione të ndryshme të temperamentit dhe ambientit, ngjarje brenda këtij ambienti të cilat drejtojnë drejt homoseksualitetit. Ata thonë: “Pavarësisht se gjetjet e kohëve të fundit neurobiologjike sugjerojnë se homoseksualiteti është i përcaktuar gjenetikisht dhe biologjikisht, nuk ka asnjë provë shkencore për model biologjik të homoseksualitetit”.

Steven Goldberg, ish-drejtues i departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Çikagos, shkruan në librin e tij “Kur dëshira zëvendëson mendimin: Pse kaq shumë ajo që ti beson është e rreme”, Buffalo, New York, Prometheus Books: "Qartësisht të gjitha faktet janë kundër argumentit se ka një faktor përcaktues fiziologjik si shkak dhe unë nuk njoh asnjë kërkues shkencor që beson se faktorë të tillë përcaktues ekzistojnë. Faktorë të tillë mund të luajnë një rol ndihmës, por jo një rol vendimtar… Nuk njoh askënd të fushës së kërkimeve shkencore në gjenetikë dhe biologji që mbron tezën se homoseksualiteti mund të shpjegohet pa iu referuar shkaqeve shoqërore dhe të ambientit”. Lista e shkencëtarëve dhe e punimeve të tyre që tregojnë se homoseksualiteti nuk është i lindur, është shumë e madhe dhe rreshtimi më tej thjesht do të sillte tepri. Aktivistët e çështjes “gay” janë përpjekur me mjeshtëri ta zhvendosin vëmendjen nga këto të vërteta dhe të flasin për orientim seksual dhe jo për sjellje seksuale, duke e ditur mirë që pranueshmëria publike është shumë e madhe kur thuhet se homoseksualiteti është i lindur. Në gazetën “Panorama”, z. Kajsiu i referohet Michel Foucault, kur kërkon të thotë se homoseksualiteti është i lindur. Foucault, megjithëse një mendimtar i madh dhe me ndikim në botë, ka qenë filozof dhe jo gjenetist apo psikiatër. Një shembull klasik i gabimit në arsyetim që përdoret në logjikë është: Armët atomike duhet të zhduken. Madje, edhe Openheimer, krijuesi i saj, ka kërkuar këtë gjë. Armët atomike duhet të zhduken vërtet, por jo pse e thotë Openheimer, pasi nuk është mjek, filozof moral apo klerik. Ana tjetër e debatit për homoseksualitetin ka të bëjë me atë që përfaqëson kjo sjellje. Homoseksualiteti është një sjellje seksuale e pashëndetshme dhe promovimi i saj publik nuk mund të jetë një gjë e lavdërueshme. Gazeta “San Francisco Cronicle” në 15 janar të 2008-s njoftoi se në komunitetin gay të qytetit ishte shfaqur një lloj stafilokoku rezistent ndaj çdo lloj antibiotiku. Revista “Annals of internal medicine” e konfirmoi këtë gjë dhe patologjistët thanë se kjo ka ardhur vetëm për shkak të marrëdhënieve seksuale të burrave me burra. Ende edhe sot nuk është gjetur antibiotiku për këtë lloj baktere vrasëse. Qendra kombëtare për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve në SHBA në vitin 2003 raportoi se 63% e burrave të infektuar me SIDA nga kontaktet seksuale ishin homoseksualë. Në vitin 1998 ishin vetëm 44% burrat e infektuar me SIDA nga marrëdhëniet seksuale me burra. Nga 12 mijë burra të sëmurë me sifiliz, një sëmundje shumë e keqe që transmetohet seksualisht, 65% e tyre ishin homoseksualë, thotë Qendra Kombëtare e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve në SHBA për vitin 2007. Një tjetër sëmundje e keqe seksuale, Gonorrea, sipas revistës “Sëmundjet seksuale të trasnmetueshme” shfaqet 6 herë më shpesh tek homoseksualët sesa tek heteroseksualët. Kështu Danimarka, Suedia, Uellsi dhe Holanda janë vendet ku Gonorrea ka kaluar nivelin e mbi 32% të burrave homoseksualë. Amebiasis, një tjetër sëmundje e transmetueshme seksualisht dhe shumë e keqe sipas departamentit të Shëndetit të Kalifornisë, kap rreth 50% të burrave që kryejnë marrëdhënie me burrat. Një nga sëmundjet më të këqija që ka prani të lartë të tek njerëzit me sjellje homoseksuale është kanceri, carcinoma e zorrës së trashë. Revista “Kujdesi klinik për Amerikën e Veriut”, një organ autoritar shkencor bën me dije në qershor të 2004-s se 65 për qind e njerëzve me kancer nuk kanë SIDA, por pjesa e tyre dërrmuese janë homoseksualë. Revista “Mjekimi në Anglinë e Re” shkruan se nga 64 kontrolle, 57 ishin me kancer carcinoma dhe numri i homoseksualëve ishte i frikshëm mes tyre. Është e tepërt të thuash se përdorimi i drogës nga homoseksualët është në nivele dëshpëruese. Statistikat për këtë do të tmerronin gjithkënd. Është e qartë se homoseksualiteti është një sjellje seksuale shumë e keqe për njeriun dhe se promovimi i saj është një gabim. Këto të vërteta nuk mund të jenë pengesë për askënd në sjelljen e drejtë ndaj homoseksualëve, në trajtimin e tyre si qenie njerëzore me të drejtat e veta, por inkurajimi dhe thirrjet për respekt, për respektim vlerash, për rrëzim tabush, për largim nga e vjetra etj. nuk kanë të bëjnë realisht me të mirën. Sjellja homoseksuale nuk është thjesht një dem për vetë ata. Dhuna mes tyre dhe e shkaktuar nga ata është në nivele më të larta se mes heteroseksualëve. Berndard Knight, profesor në Universitetin e Uellsit dhe ish-drejtori i Shërbimit Perandorak Mjekësor, i cili ka hetuar vrasje të famshme në Angli dhe Kanada, thotë se krimet e heteroseksualëve kryhen duke shkaktuar trauma të përgjithshme, kryesisht me goditje në kokë, ndërsa krimet e homoseksualëve kanë një dhunë vrastare që nuk ka të ngjashme me heteroseksualët (Knight's Forensic Pathology', (3rd Ed) Saukko P. and B. Knight (2004) Arnold Publishers, London, page 428). Krimet sigurisht nuk janë monopol i homoseksualëve, por më të dhunshmet kryhen nga ata. Kolegji i pediatërve amerikanë ka publikuar të dhëna shqetësuese, ku thotë se dhuna mes homoseksualëve është dy deri në tri herë më e madhe sesa ajo mes heteroseksualëve. Në 6 nëntor të vitit 2000 gazeta “New York Times” shkruan se dhuna mes homoseksualëve është fshehur me forcë nga mbrojtësit e axhendës gay, por ajo është vërtet shumë e madhe. Departamenti Amerikan i Drejtësisë nëpërmjet zyrës së tij të statistikave dhe Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve (shih National Center for PTSD Fact Sheet) bëjnë me dije se burrat heteroseksualë të martuar janë 25 herë më pak të dhunshëm sesa ata homoseksualë që kanë një lidhje mes tyre. Zyra i referohet dhunës së raportuar dhe shifrave të saj. Ish-komandanti i njësive të vrasjeve në departamentin e policisë së Nju Jorkut, Vernon Geberth, thotë se vrasjet dhe dhuna mes homoseksualëve është e zakonshme dhe e ashpër. Në vitin 1999 gazeta “New York Times” citonte dr. William Eckert, një autoritet në hetimin e vrasjeve, i cili ka punuar për disa nga vrasjet më të mëdha në SHBA, përfshirë atë të Robert Kenedit, i cili thotë se është i lartë numri i vrasje për dyshime, xhelozi mes homoseksualëve dhe këto vrasje kryhen me një dhunë të shfrenuar, me sadizëm. Kriminologë të panumërt kanë dhënë statistika lebetitëse për dhunën që shfaqin homoseksualët, por nuk do të ishte një gjë më shumë në dobi të argumentit përmendja e tyre. Është e kthjellët se homoseksualiteti është një shqetësim dhe nuk mund të shihet si e drejtë që duhet inkurajuar. Axhenda gay, me kujdes dhe mbrapshti në manualet e saj dhe në manifestet e saj kërkon që kundërshtarët e homoseksualizmit të cilësohen si homofobë dhe të pailuminuar. Ata nuk i pranojnë debatet për të vërtetat dhe statistikat, por rreken t’i fshehin ato. Të vërtetat janë të rënda dhe e bëjnë kauzën e tyre të ngritur mbi një gënjeshtër. Në Shqipëri mungon krejtësisht kjo qasje dhe ky është një fat i keq i këtij vendi. Të drejtat dhe liritë e individit janë të garantuara për të gjithë, përfshi edhe atë të shprehjes, por nuk mund të merret një problem, një shtrembërim për t’i dhënë atij status të mbrojtur. Askush nuk ka të drejtë të shpërndajë të drejta të tilla. Shoqëria është duke parë si të keqe pirjen e duhanit dhe ka fushata kundër tij, pasi ai shkakton sëmundje e ndërkohë të gjithë bien dakord të inkurajojnë një sjellje seksuale që jo vetëm shkakton sëmundje dhe infekton të tjerë, por është e ngritur edhe mbi një gënjeshtër. Arsyet e protestës në Lezhë pak ditë më parë janë krejtësisht të kota. Kjo nuk është çështje krahine apo etnie. Kjo nuk është çështje protestash, por vetëdijeje njerëzore dhe shoqërore. Homoseksualiteti ka kuptim se ndodh një akt, nuk është besim shpirtëror e as trashëgohet kulturalisht. Kështu, është e turpshme ta kthesh atë në një lloj feje, të cilën askush nuk duhet ta lëndojë, sepse ai ka lirinë e tij dhe duhet lejuar ta shprehë dhe të ndihet mirë dhe i vlerësuar për këtë gjë. Diskriminimi ka kuptim për atë që je dhe jo për atë që bën.

 

Fetë. S’ka frikë prej regjistrimit

27
Apr
0 comments | 0 recommendations
image

Fetë -S’ka frikë prej regjistrimit

 Tre komunitetet fetare më të mëdha në vend janë në pritje. Edhe pse nuk mund të quhet një pritje e ankthshme nuk mund të thuhet se nuk ka një farë tensioni ndër ta sa i përket rregjistrimit të popullsisë më 2011, ku do të përfshihet edhe rregjistrimi mbi baza fetare. Përfaqësues të këtyre komuniteteve i thanë gazetës se ishin në pritje të një versioni zyrtarë të formularit dhe vendimit për të reaguar më pas ndaj tij, por parimisht të tre komunitetet ai Musliman, ai Ortodoks dhe ai Katolik pranojnë rregjistrimin si nismë, që do të qartësonte edhe raportet mes tyre sa i përket numrit të besimtarëve. Ndërkohë mjaft njerëz në media janë shprehur me dyshim sa i përket një rregjistrimi të tillë. Në fakt një debat publik mbi detyrimin për ta pasur këtë rregjistrimim dhe nëse duhej bërë ai vazhdon prej kohësh dhe argument bazë kundër një rregjistrimi mbi baza fetare dhe etnike është mundësi e një “konflikti” apo mospranimi i numrave. Sidoqoftë debati i gjatë mbi shifrat, se kujt i përkasin në shumicë e pakicë shqiptarët, ndërkohë që shifra nuk ka, duket se do të marrë një zgjidhje.

 Problemi me shifrat

Sa shtetas shqiptarë ka? Nëse pyesin në rrugë, dhe ne kemi pyetur, mjaft njerëz do t’u thonë 3 milion, pavarësisht se vendi prej kohësh numëron rreth 4.2 milion banorë. Gabimi me 1.2 milion në numrin e popullsisë së Shqipërisë në fakt nuk është një gabim rastësor, ai vjen nga mungesa e gjatë e një rregjistrimi të popullsisë, të dhënat demografike të sëcilës kanë ndryshuar në 20 vite në mënyrë të jashtëzakonshme. E nëse nuk jemi në gjendje të flasim saktë mbi numrin e shtetasve shqiptarëve (gjë që në fakt është ndryshuar me rregjistrimin elektronik të popullsisë), si mund të flasim saktë për përbërjen demografike të vendit?! Kontradiktat dhe debati që ka shoqëruar prej kohësh numrat në lidhje me fetë dhe etninë në Shqipëri, duket se do të marrin një përgjigje më 2011, kur sipas vendimit të qeverisë do të ketë edhe një rregjistrim mbarë kombëtarë të popullsisë ku për herë të parë që prej 1929 do të mund të mësojmë sa jemi dhe çfarë jemi dhe sa e ku besojmë. Duket se kjo i ka vënë shqiptarët para një prove “zjarri”, ku në njërën anë qëndron frika se sqarimi i amullisë së shifrave mbi fenë dhe etninë do të nxisë konflikte dhe prodhojë shifra të paqena dhe se rregjistrimi mbi këto baza duhet shtyrë për më vonë, kurse në anën tjetër qëndrimi se koha për një rregjigjistrim të tillë ka kaluar. Pavarësisht se asnjë nga të dhënat qoftë ajo etnike qoftë ajo fetare nuk duket se përbëjnë domosdoshmëri, sqarimi njëherë e mirë i amullisë së shifrave dhe për qindjeve duket se në vend që të krijojë konflikte të reja do mund të sheshojë pikërisht ato konflikte që lindin si pasojë e pretendimeve mbi të dhënat e paqena apo shumë të vjetra mbi këto argumente. Sidoqoftë kundërshtarë të rregjistrimit si politikani dhe shkrimtari Sabri Godo, në një intervistë për një të përditshme e cilëson krejt të panevojshme një rregjistrim të popullsisë në bazë të besimit fetar, për më shumë sipas tij kjo do të nxiste një garë që do të cconte në rivalitetet që do të cënonin harmoninë fetare në Shqipëri. Por sipas Kryeministrit Berisha, i cili prezantoi këtë nismë, pikërisht toleranca fetare e shqiptarëve shërben si gurë themeli për ta bërë këtë rregjistrim pa pasur probleme të kësaj natyre. “Në këtë kontekst të mendosh se deklarimi i besimit fetar përbën një element supozojmë përçarës fetar, kjo nuk qëndron. Nuk ka asnjë bazë reale, sepse këtu në Shqipëri si askund tjetër njerëz me besime të ndryshme fetare kanë jetuar në harmoni në të gjitha kohërat,” tha Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë ku u diskutua nisma për rregjistrimin e popullsisë.

I të njëjtit mendim mbi tolerancën fetare është edhe Ilir Hoxholli, ish-anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Musliman, por ai thotë se rregjistrimi mbi baza fetare megjithë tolerancën duhet shtyrë, pasi sipas tij kalimi nga një diktaturë që imponoi ateizmin i ka sjellë probleme. “Ne vijmë nga një diktaturë që e shpalli vendin tonë ateist dhe kjo ka ndikimin e saj për sa i përket të kupuarit të rëndësisë fetare”, thotë Hoxholli. Megjithatë qoftë ai qoftë të tjerë pranojnë se vendi ka të domosdoshëm një sqarim të shifrave që do të përcaktonte edhe raportet ndaj komuniteteve të ndryshme fetare në vend dhe rëndësisë që ata kanë.  

  Reagimi i komuniteteve

Zyrtarë të komunitetit Musliman thanë se reagim zyrtarë ndaj nismës nuk kishte ende, por komuniteti mirëpret rregjistrimin edhe pse pret të shqyrtojë kushtet mbi të cilat ai do të bëhet për të diskutuar më pas mbi të. Paraparakisht ky komunitet është dakord me rregjistrimin edhe mbi bazë feje, por për të folur mbi këtë rregjistrim duhen parë kushtet se si ai do bëhet. “Nuk jemi ende të informuar mbi mënyrën se si do të kryeht rregjistrimi, por sapo të merret informacion do të ketë edhe një qëndrim zyrtarë sa i përket atij”, thanë burime nga ky komunitet. I të njëjtit mendim është edhe Thoma Dhima, zëdhënës i kryepeshkopatës Ortodokse. “Deri sa rregjistrimi është një iniciativë shtetërore dhe shteti është laik ne nuk kemi pse reagojmë ndaj kësaj”, thotë Dhima. Sipas tij rregjistrimi i përket shtetit dhe një reagim zyrtarë ndaj tij do të ketë vetëm pasi Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare do jetë njohur me të.

Dom Gjergj Meta, përgjegjës për median pranë Arkidoqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, thotë se rregjistrimi i popullsisë mbi baza të fesë edhe pse nuk është kërkuar nga Kisha Katolike shqiptare është i mirëpritur. “Edhe ne duam të dimë sa jemi” thotë Dom Gjergji. Por ashtu si drejtues të komuniteteve të tjera fetare as ai nuk ka parë ende një version të formularit apo mënyrës se si do të realizohet rregjistrimi mbi baza fetare dhe thotë se nuk është kërkuar mendim prej tyre për mënyrën se si do të kryhet ky rregjistrim. Sidoqoftë ai thotë se edhe për kishin një rregjistrim i tillë përbën interes, pasi kështu do të sqarohet edhe numri i besimtarëve të secilit komunitet.

 

 Ata që shprehen pro rregjistrimin që përfshin edhe këto dy të dhëna, marrin si shembull të vetmin rregjistrim të cilit në fakt i referohen edhe sot studiuesit edhe shqiptarët e thjeshtë. Sipas tyre rregjistrimi i 1929-tës nuk solli asnjë nga problemet që pretendohet se do të sjellë ai i 2012 dhe ky është një argument i fortë se ky rregjistrim nuk ka pse pasohet nga konflikte dhe probleme. Vetë këto komunitete nuk e shohin si problem një rregjistrim të tillë të popullsisë edhe pse për ta projekti ende nuk është i qartë pasi nuk janë njohur plotësisht me të. 

  Historia e regjistrimi  

Në fakt i pari rregjistrim i popullsisë në Shqipëri, edhe pse jo në të gjithë territorin shqiptar është ai i kryer gjatë Luftës së Parë Botërore i kryer nga përfaqësues të Austro-Hungarisë që kishte në zotërim një pjesë të madhe të territorit shqiptar.

Rregjistrimi është kryer nga administrata austriake, nga eskperti i statistikave Franz Seiner, por ky rregjistrim nuk përfshin zonat e pushtuara në atë kohë nga Francezët (Korça dhe Juglindja), Italianët dhe Grekët.  Të dhënat e atij rregjistrimi flasim për një Shqipëri, ku më shumë se 95 për qind e popullsisë ishte shqiptare gjë që konfirmohet edhe më vonë me rregjitrimin e fillim viteve 30’. Ky i fundit është në fakt për konceptin e fesë i vetmi rregjistrim i kryer në Shqipëri. Prej atij viti nuk ka më asnjë rregjistrim tjetër mbi komunitetet fetare në vend dhe madhësia e këtyre komuniteteve apo edhe numri i besimtarëve të tyre mbetet i paqartë madje edhe për vetë komunitetet. Mjaft prej tyre disponojnë statistika për besimtarët e rinj, por rregjistrat e vjetër ose janë zhdukur ose nuk janë të disponueshëm, ç’ka e bën të paqartë numrin e besimtarëve edhe për vetë komunitetet fetare. Edhe pse polemikat mbi faktin nëse duhet apo jo ky rregjistrim sapo kanë filluar, komuniteter fetare nuk duket se presin ndonjë ndryshim të madh statistikorë sa i përket numrit të besimtarëve të tyre.

 

 Si do të kryhet rregjistrimi

 

Rregjistrimi i fesë do të jetë në dëshirën e deklaruesit. Ende nuk ka një formularë zyrtarë dhe as një mënyrë të përcaktuar se si do të bëhet ky rregjistrim, por duke e cilësuar fenë si të drejtë themelore të njeriut dhe deklarimin apo mos deklarimin e saj po ashtu si të drejtë të personit, formulari do t’ia lërë në dëshirë plotësuesit nëse do i përgjigjet asaj pyetje. Formulari pritet të përmbajë një listë të besimeve fetare që aplikohen në shqipëri apo edhe organizatave fetare që veprojnë në vend, përfshi të drejtën për të mos deklaruar fenë apo për t’u deklaruar ateist.

   

Të dhënat e rregjistrimit fetar të 1918*

 74 për qind muslimanë dhe bektashij

 18 për qind katolikë

 8 për qind  ortodoksë

 

*Rregjistrimi është kryer nga administrata austriake, nga eskperti i statistikave Franz Seiner, por ky rregjistrim nuk përfshin zonat e pushtuara në atë kohë nga Francezët (Korça) dhe një pjesë e Jugut e pushtuar nga Italianët dhe Grekët.

 

Të dhënat e rregjistrimit fetar 1929

 Rreth 70 për qind muslimanë, sunitë dhe bektashij

 Rreth 20 për qind të krishter ortodoskë

 Rreth 10 për qind të krishterë katolikë

 

 

Lezha. As homoseksualë, as homofobikë

27
Apr
0 comments | 0 recommendations

Lezha

As homoseksuale, as homofobike

 Me Shëngjinin pak minuta larg, me një rrugë të drejtë nga Tirana, me një kala të stërlashtë dhe kafene të mbushura plot me të rinj e të reja. Lezha mund të quhet me plot gojën një qytet joshës, seksi... Dje ne e gjetëm atë të mbështjellë në një debat që sidoqoftë i përfshin këto fjalë.

Qytetarët e vendit ku u bë besëlidhja më e rëndësishme shqiptare, papritur kanë lënë debatet e tyre të përditshme për Ramën e Berishën, për dritat e ujin, për rritjen e çmimeve dhe kanë nisur të flasin nga mëngjesi në darkë për një ngjarje që u zbriti nga qielli, për homoseksualitetin. Disa në moshë të thyer ngrenë supet e madje as nuk e shqiptojnë dot pa gabime këtë fjalë, të tjerë kërkojnë t’u shpjegosh çfarë është e të tjerë thonë me tone fyese... “S’më interesojnë fare b.q”. Pas një ore udhëtim jemi në hyrje të një qyteti të vogël verior që shtrihet kah malit e kah detit dhe të ngjall ftohtësi dhe në një ditë marsi. Nuk kemi ardhur këtu për asnjë nga 100 hallet e përditshme të këtij qyteti, që ngjajnë aq shumë me hallet e gjithë qyteteve të tjera në Shqipëri, por për një “hall” që ndoshta është më shumë se luks në Lezhën e varfër dhe të heshtur në një stinë të tillë, një luks që duket normal në Teksas e në Florida.

Një ndeshje mes Lushnjës dhe Besëlidhjes së Lezhës nuk ofron vetëm futboll në fushë të pashtruar, por edhe një nxitje për protesta. Edhe pse fenomen jo i ri për futbollin shqiptar, këtë herë nuk ishte arbitri që ishte në qendër të “revoltës”, por një personazh i “Big Brother” që deklaroi publikisht se ishte homoseksual. Etiketimet e gjetura nga tifozët e Lushnjes për lezhjanët dy javë më parë ishin të mjaftueshme për nxjerrë 40 tifozë të ofenduar në qendër të Lezhës në protestë kundër Klodit të “Big Brother”.

U nisëm drejt qytetit verior me një sërë pyetjesh ndër mend. Kishim mësuar se për këto protesta ishin interesuar edhe autoritete të larta e madje edhe ambasada amerikane, çka e konfirmuam kur shkuam në qytet. Por a është Lezha një vend ku një debat mbi homoseksualitetin gëlon, e mbi të gjitha a kemi të bëjmë me një shfaqje ekstreme homofobie, apo një mori paragjykimesh për një kategori të cilën realiteti shqiptar nuk e ka njohur ende për ta vlerësuar?

 

Një orë në shkollë

Si çdo ditë gjimnazi “Hydajet Lezha” gumëzhinte nga zërat e qindra nxënësve, që këto ditë krahas bisedave të zakonshme të provimeve, ngacmimeve e çmendurive të adoleshencës, një tjetër debat ka nisur të lindë. A është homoseksualiteti diçka që duhet të dënohet, apo është zgjidhje e gjithsecilit?

“Lezhjanët i thonë jo Klodit”, “Lezhjanët kundër homoseksualëve”, e të tjerë ishin vetëm disa nga titujt e mediave të përditshme, që pasqyronin protestat në Lezhë, kundër deklaratës së një prej lojtarëve të “Big Brother Albania”.

Për herë të parë në Shqipëri është hapur një debat i qartë publik mbi homoseksualitetin, pranueshmërinë apo jo të tij në vendin tonë, homofobinë dhe përmasën e saj e mbi çdo gjë që vërvitet rreth orientimeve “ndryshe” seksuale. E vetmja e veçantë është se në këtë debat shpeshherë ngatërrohet mendimi i shumicës, pasi ata që marrin mikrofonin, dalin në rrugë, apo gjejnë hapësirën për të botuar dy radhë janë vetëm mbështetësit e flaktë e kundërshtarët e flaktë të këtij fenomeni.

Ku më mirë, për të parë se cili është mendimi i shumicës, apo qoftë të “pakicës cilësore”, sesa në një prej shkollave të këtij qyteti. Për këtë arsye, morëm aparatin fotografik, një stilolaps e një letër, së bashku me një mori pyetjesh për të hyrë në një nga klasat e shkollës së mesme të qytetit verior.

“Në fakt këtu ka lindur një debat i vogël, në një prej klasave, tek e treta C, prandaj po ju çoj aty”, – na thotë drejtoresha e shkollës, tërësisht e gatshme për të na treguar mendimin real, jomediatik, të të rinjve lezhjanë.

Në një klasë prej 30 nxënësish, ku ishin vetëm 6 djem, vështirë se mund të kuptosh realitetin e Lezhës, por jo edhe të marrësh frymën dhe argumentet e 17-vjeçarëve lezhjanë. Në klasën e tyre, një prej këtyre ditëve, një nxënës kishte bërtitur “Ik, Klodi, ik”, e mjaftueshme kjo për të hapur një debat, që ishte mjaft i nxehtë kur shkuam ne.

Djemtë nuk ishin lajmëruar për qëllimin e vizitës sonë, një “kurth” i ngritur për të tërhequr në mësimin e “Hyrjes në ekonomi”, ku ne u pritëm si miq të paftuar.

E megjithatë, sapo i pyet për lajmet dhe deklaratën e Klodit, qetësia prishet në klasë, ndoshta për debatin e zjarrtë që janë të sigurtë se do të kontribuojnë apo për të shpëtuar nga një orë tjetër mësimi, të gjithë ngrenë dorën të flasin.

“Mirë bën që protestuan, por nuk dinin të argumentonin”, – na thotë Aguileni, një prej më të zëshmëve në klasë. “Normalisht natyra ka krijuar femrat dhe meshkujt”, – vijon ai, duke analizuar më gjerë teologjikisht arsyen pse ishte kundër homoseksualitetit.

Një deklaratë e vetme, e vijuar nga “bravo”, e “mirë ja bën” e disa prej miqve të tij, mjaftonte për t’i hedhur zjarrit pakëz benzinë, për të nisur një debat që më së shumti ngjante si një teatër fjale, me skenar të mirë, me djemtë e vajzat kundër palës tjetër.

“Secili ka të drejtë të bëj çfarë të dojë, dhe askush nuk mund ta detyrojë atë të bëjë siç do shumica”, – thotë e ulur në mes të dy shoqeve të saj, me një artikulim të qartë shprehës trupor, Flavia.

Dukshëm kundër, me një shpërfillje ndaj argumentit, por respekt ndaj argumentimit, Aguileni vendoset pak në pozitë të vështirë, kur e pyesim mbi lesbizmin. “Aty ndryshon, jam gjysmë pro e gjysmë kundër”, – na thotë më së shumti për të ruajtur balancën mes argumenteve teologjikë që normalisht vlejnë të njëjtë për të dy rastet, e mendimit të tij kahkundërt për homoseksualitetin mes femrave. “Meshkujt janë ndryshe, bëhen më pak mashkullorë, kur janë homoseksualë”, – na thotë.

Disa nga vajzat marrin pozicionet e shokëve të tyre, por gjithsesi në “pakicë të dukshme” karshi vajzave të tjera. “Unë jam kundër homoseksualitetit”, – na thotë njëra prej tyre, – “nuk më pëlqen diçka e tillë”.

“Është e vështirë që ta heqësh këtë mentalitet, sepse duhet kuptuar edhe mentaliteti”, – na thotë zysha e “Hyrjes në ekonomi”, duke kujtuar edhe një rast prej Italie, ku jetonte vite më parë: “Në lagjen ku isha, një djalë nisi të deklaroj publikisht se është “gay” dhe u abandonua nga familja, pra edhe mentaliteti duhet kuptuar megjithëse duhet shumë punë për ta ndryshuar”.

E në këtë pikë, e gjithë homofobia e shprehur në përgjigje direkte duket se nuk është e njëjtë kur vendosen përpara dilemës. “Jo” – ishte thuajse unanime, me një përjashtim, përgjigjja ndaj pyetjes nëse duhet të abandonohet nga familja dhe të afërmit një person me orientim “tjetër” seksual.

Po aq më shumë ndryshon ky koncept kur vjen fjala tek aftësia. Një person i aftë në punë do të punësohej nga të gjithë këta nxënës nëse do ta kishin në dorë, edhe pse, ndonjëri do t’i jepte “zyrën e fundit në korridor”, a ndonjë tjetër do të merrte edhe mendimin e punonjësve të tjerë “për të mos pasur përplasje brenda mjediseve të punës”.

Duket se pika A, pra diskriminimi në punë e në familje është një absurditet, si për liberalët dhe për konservatorët...

Por, për shokun gjërat ndryshojnë! “Unë nuk mund të pranojë që shoqja ime të jetë homoseksuale, sepse do dyshoj për çdo veprim timin”, – na thotë Esmeralda, që iu bashkëngjit djemve, kur pyetëm se cili do të ishte reagimi i tyre nëse shoku apo shoqja e ngushtë do u tregonte se ishin homoseksual.

“Unë abstenoj”, – na thonë (pa folur për kuorum e për nisma ligjore) një prej djemve – “nuk e di se çfarë reagimi do të kisha”.

E ndërkohë vajzat në masë vijojnë të thonë se “çdokush ka të drejtë të jetojë jetën e vetë, pa u paragjykuar” dhe se “është e drejta e kujtdo të jetojë pa u diskriminuar, pavarësisht se çfarë orientimi seksual ka”.

E në fund të fundit, “halli” më i madh i djemve të këtij qyteti, duket se ishte etiketimi. “Kanë nisur të na thonë me ironi se jemi lezhjanë, duke nënkuptuar pikërisht këtë”, – thotë Aguilieni, për të marrë një “mbështetje” nga një djalë tjetër që nuk duket se e ndihmonte shumë në argumentim: “Sikur të ishim nga Kavaja”...

E megjithatë, edhe pse me mendime pro dhe kundër, me kundërshti e debate, me argumentime të mira, askush nuk do të dëbonte një person me orientim të ndryshëm seksual nga qyteti. “Nuk mund të dëboj dikë, – na thotë një prej vajzave, – sepse as ai nuk mund të dëboj mua”.

Nëse me homofobi do të nënkuptonim diskriminim në punë, abandonim nga familja, dëbim nga bërthama sociale, apo ofendime publike, kjo vështirë se do të gjendej në këtë klasë, që rastësisht na u ofrua për të parë se çfarë mendohet në një pjesë të Lezhës. Edhe pse disa prej tyre nuk do të pranonin ta kishin shokë, më shumë se një ndjenjë homofobike, duket se është paragjykimi që i drejtonte në deklarata ultimative...

“Duhet pak paragjykim” – na thotë me natyrshmëri, një prej nxënësve në fund të klasës, adhurues i grupit muzikor “Quëns”. “Mua më pëlqen Fredi Merkuri” – na thotë, duke shtuar se do të merrte një autograf prej tij, por se “do të ishte më mirë sikur të mos ishte homoseksual”.

Në një orë e gjysmë me nxënësit e të tretës C të gjimnazit “Hydajet Lezha” nuk kuptuam se çfarë mendojnë lezhjanët, por sigurisht u qartësuam, se nuk janë “lezhjanët” ata që do të dilnin e do të kërcënonin me jetë një person vetëm pse deklaroi një orientim tjetër seksual, sikurse nuk janë “lezhjanët” ata që do të pranonin se homoseksualiteti është një fenomen normal në shoqërinë e tyre. Ndër mendimet plurale që si çdo shoqëri ka edhe Lezha, shumica dukej se ishin më liberalë, edhe pse kjo vetëm në një klasë me pak djem...

Zor, se kjo ndryshon në ndonjë pjesë tjetër të vendit, apo edhe më gjerë në gadishullin tonë, por zhurma që mund të krijohet, heroizmi i personave që deklarojnë një identitet të ndryshëm apo sirenat homofobike, që shpesh amplifikohen në media, me qëllime të të bërit “lajm” vështirë se mund të jenë, në qoftë edhe një rast të vetëm, të vërteta.

 

Protesta? Vetëm 40 vetë

Drejtori i Policisë së Lezhës, Muharrem Furriku, duke folur për gazetën, shprehet se uniformat e policisë u ndjenë të papërgatitura nga një protestë e tillë. “Nuk e prisnim vërtet të ndodhte në Lezhë. Nuk kishte arsye”, - thotë drejtori, i cili tregon më tej se ditën e enjte kur ndodhi protesta e dytë kundër personazhit të Klodit ishte programuar diçka tjetër. Në sheshin qendror të qytetit, Partia Socialiste e Lezhës kishte lajmëruar policinë e kishte marrë lejen, për të zhvilluar një tubim politik të enjten në orën 5 pasdite, për të kërkuar hapjen e kutive të votimit. Politika e Tiranës ndihet edhe në qytetin verior, ndërsa forcat e policisë kishin marrë masat për mbarëvajtjen e kësaj proteste. Ndryshe nga sa pritej, protesta e PS-së nuk u zhvillua dhe kjo për arsyet e saj, por protesta në fakt u zhvillua. Sipas drejtorit të policisë së Lezhës, një grup djemsh të rinj dhe fëmijë të vegjël, jo më shumë se 40 vetë, zëvendësuan spontanisht protestën e programuar, duke hedhur parulla anti-Klodit të “Big Brother”-it. “Ishte diçka spontane por që ne morëm masat tona”, - thotë drejtori Furriku, duke konfirmuar më tej se ndaj tre organizatorëve të protestës spontane u mor masa e ndalimit të tyre. “Ata po ndiqen në gjendje të lirë me akuzën e organizimit të tubimeve të jashtëligjshme”, - thotë Furriku.

Policia e Lezhës ka skanuar edhe 3 djemtë që po ndiqen penalisht, dhe mësohet se ata njihen si djem të këqij në qytet. Organizatori kryesor, i cili foli edhe për mediat, sipas policisë, ishte në gjendje të dehur kur po jepte deklaratën për mediat elektronike.

 

Klodi nga Lezha?

Historia e personazhit të Klodit të “Big Brother”-it, tentohet që të anashkalohet nga lezhjanët. Ata justifikohen me “ai nuk është nga Lezha, por është i ardhur në atë qytet”. Në mënyrë sinkron çdo qytetar që pyet në rrugë, thotë të njëjtin informacion për origjinën e tij. “Nënën e ka nga Mallakastra, ndërsa babanë e ka nga Shkodra. Vonë janë zhvendosur në Lezhë”, - thonë disa. Të tjerë tentojnë ta trashin pak historinë, duke shtuar se ai i ka pasur prindërit e divorcuar dhe është rritur nga gjyshërit e tij. “U la pas dore, ndaj u bë ashtu”, - thotë një tjetër. Ndaj familjes së Klodit nuk mungojnë as fyerjet. Ndoshta sikur kërkojnë të vetëmbrohen, qytetarët e Lezhës, veçanërisht të rinj, fjalën e parë që shprehin pasi i pyet për personazhin e Klodit është: “Ai nuk është lezhjan”.

Familjen e Klodit nuk e gjejmë në Lezhë. Disa nuk e dinë ku ndodhet, disa nuk duan ta tregojnë, por pas disa përpjekjesh, mësohet se familja e tij jeton sot në Tiranë. Bëhet fjalë për nënën e tij. Pasaportizimin e kanë ende në Lezhë, ndërsa sot familja e tij jeton me qira në një apartament në Tiranë, ose të paktën kaq është ajo që dinë lezhjanët.

Author info
image Sami Neza -Pedagog i Gazetarise- Kryeredaktor gazetes "Standard"-E:mail saminezaus@yahoo.com