"Identifikimi i fëmijëve romë që nuk ndjekin arsimin e detyruar"
Romët përbëjnë një pakicë kulturore në shqipëri. Ky grup shoqëror jeton i margjinalizuar në skajet e shoqërisë shqiptare duke u përballur shpesh me diskriminimin, intolerancën dhe qëndrimet negative ndaj tyre. Edhe pse kanë një mbrojtje ligjore të sanksionuar në akte ndërkombëtare dhe kushtetutën e vendit, duket se korniza ligjore është e pamjaftueshme për të siguruar një përfshirje më të madhe të tyre në jetën e vendit. Integrimi i romëve do të thotë më shumë të mira dhe përfitime për të gjithë shoqërinë si e tërë. Kushtet e vështira ekonomike, problemet sociale dhe mungesa e një arsimi gjithëpërfshirës shpesh bëhen shkak që shumë fëmijë të ndërpresin shkollën për t’u ardhur në ndihmë familjes.
Duke marrë shkas nga niveli i ulët i frekuentimit të arsimit të detyrueshëm nga fëmijët romë, nevojat që ka sot tregu i punës për njerëz të arsimuar dhe rëndësisë që edukimi dhe arsimimi ka në zhvillimin e personalitetit të njeriut dhe përgatitjen e tij për jetën, AFALC në bashkëpunim me shoqatën e romëve Romano Kham, me mbështetjen financiare të Shoqërisë së Hapur SOROS, implementoi projektin me titull “ Identifikimi i fëmijëve romë që nuk ndjekin arsimin e detyruar”. Qëllimi i kësaj iniciative ishte rritja e ndërgjegjësimit të vetë komunitetit rom për rëndësinë e arsimimit, sensibilizimi dhe angazhimi i drejtuesve të këtij komuniteti, vendimarrësve dhe aktorëve të tjerë me influencë në politikëbërje që të veprojnë në drejtim të plotësimit dhe garantimit të të drejtave të fëmijëve romë për arsim dhe edukim. Objekt hulumtimi ishte edhe evidentimi i barrierave, problemeve që pengonin fëmijët romë të ndiqnin arsimin e detyruar dhe mbi bazën e tyre, zhvillimin ose dhënien e disa alternativave në formën e rekomandimeve që të mundësonin përmirësimin e kësaj situate.
Projekti u shtri në 11 njësi të minibashkive të Tiranës dhe përfshiu 500 familje rome. Gjatë fazës së parë të implementimit u bë e mundur vendosja e kontakteve me institucionet arsimore dhe organet e pushtetit lokal për të marrë një informacion më të saktë për identifikimin e fëmijëve romë që ndjekin arsimin e detyruar. Pas mbledhjes së informacioneve, në fazën e dytë u zhvilluan sesionet e trajnimit për rëndësinë e arsimit dhe vazhdimësinë e tij si një element i rëndësishëm në zbutjen e problemeve socio-ekonomike dhe integrimi në jetën e komunitetit. Për të patur një impact më të gjerë, pjesë e këtyre sesioneve edukuese u bënë dhe familjarët, mësuesit, përfaqësues të komunitetit rom, përfaqsues OJF. Për të pranishmit ishin përgatitur disa materiale educative për njohjen e të drejtave të fëmijëvë bazuar në Deklaratën Universale të Drejtave të Fëmijëve, legjislacionin shqiptar si edhe rëndësinë e arsimit si proces socializues. Në mbyllje të sesionit edukativ pjesëmarrësit plotësuan një pyetësor për vlerësimin e temës së trajtuar, rëndësinë e tij dhe sugjerimet që ata kishin në lidhje me çështje që ata parapëlqenin të trajtoheshin në të ardhmen dhe për të cilat ishin më të ndjeshëm. Nga mbledhja dhe analizimi i të dhënave konkludohet se temat që paraqesin më tepër interes për këtë komunitet janë ato të dhunës në familje, trafikimit, planifikimit familjar, komunikimi brenda familjes.
Përpunimi i mëtejshëm i të dhënave do të kontribuoj në realizimin e disa rekomandimev për përmirsimin e mëtejshëm të gjendjes së këtij komuniteti, për t’ju shpërndarë më pas autoriteteve vendimmarrëse, përfaqsues të OJF-ve dhe persona të tjerë të interesuar.
Në përfundim mund të themi se implementimi i këtij projekti ka ndihmuar në rritjen e shkallës së informimit të komunitetit romë në lidhje me çështjen e arsimit dhe domosdoshmërinë e tij, ka ndihmuar në identifikimin e barrierave që pengojnë fëmijët të ndjekin arsimin e detyrueshëm dhe ka vënë në lëvizje përfaqësues të këtij komuniteti dhe aktorë të tjerë me influencë në vendimmarrje në gjetjen e zgjidhjeve alternative ndaj këtyre problemeve.




del.icio.us
Digg
Facebook
Shkruani komentin tuaj. Duhet te jeni anetar i faqes qe te beni komente. Nese jeni anetar futuni ne faqe perpara se te shkruani komentin