Kleri katolik në lëvizjet dhe kryengritjet për pavarësinë e Shqipërisë 1908-1912
Nje shkrim nga Dr. Dom Nikë Ukgjini, botuar ne Gazeten Shqip, date 22-01-2012
Perandoria Osmane, pas vendimeve favorizuese të Kongresit te Berlinit, 1878, në lidhje me shqiptaret, për ta forcuar autoritetin e saj, do të ndërmerrte masa të rrepta ushtarake si: vjelja me dhunë e taksave shtetërore, zbatimi i ligjit për shërbimin ushtarak, ashpërsimi i gjyqeve shtetërore në favor të qeverisë, represioni ndaj popullatës etj.
I gjithë ky presion ndezi tek shqiptaret, zjarrin e revoltës dhe nxiti organizimin e kryengritjeve të njëpasnjëshme kundër pushtueseve osmanë, qe u zhvilluan në krahinat: Malësi e Madhe dhe e Vogël, Shkodër, Lezhë, Mirditë, Pukë, Kurbin, Dukagjin etj..
Klerikët e kohës, të bindur se liria dhe qytetërimi te shqiptarët do të arrihej duke promovuar arsimimin, nëpërmjet të mësuarit, hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, shkrim-leximit, botimit të librave në gjuhën shqipe etj., por, të vetëdijshëm se kishin të bënin me një pushtues barbar, e udhëzonin popullin te organizonin dhe kryengritje, në mbrojtje të jetës dhe dinjitetit kombëtar. Filozofi francez, Zhan Pol Sartër, ka shkruar se: “Nuk mund të jesh intelektual po qe se nuk zotëron, përveç dijes, edhe guximin”.
Mendimtarët e spikatur shqiptarë, si: diplomati dhe liriku, Abat, Preng Doçi; romancieri i parë shqiptar, Dom Ndoc Nikaj; poeti më i shquar i Rilindjes, dom Ndre Mjeda; folkloristi dhe diplomati, Dom Nikollë Kaçorri; dramaturgu, satiriku, liriku më i madh i kombit tonë, Atë Gjergj Fishta etj., duke qenë zotërues, krahas dijes, edhe të guximit, nxisnin popullin në kundërshtime dhe kryengritje për çlirimin e atdheut, pjesë e të cilave u bënë edhe vetë.
Në këtë ekspozim do të doja, në mënyrë të përmbledhur, të ndriçoja ndihmesën e dhënë në këtë çështje të disa prej fi gurave më të njohura klerikale në botën shqiptare.
Abat, Preg Doçi (1846- 1917) dhe Dom Ndoc Nikaj (1865-1951 )
Në vargun e organizimeve përgatitore për t`iu kundërvënë Perandorisë Osmane, ishte mbledhja e fshehtë e vitit 1893, organizuar në famullinë e Shkrelit (Malësia e Madhe). Gjykuar nga rëndësia e personave pjesëmarrës dhe e ngjarjeve që pasuan, themi se, në këtë takim qe hedhur një nga platformat e rëndësishme për organizimin e lëvizjeve dhe kryengritjeve popullore kundër sunduesve osmanë.
Romancieri i parë shqiptar, Dom Ndoc Nikaj, në “Kujtime të një jetës së kalueme”, rrëfen se kjo ndodhi, në kohën kur qëndronte në krye të famullisë së Shkrelit. Takimi, rrëfen Nikaj, qe mbajtur në vitin 1893 dhe pjesëmarrës ishin: abati i Mirditës, Preng Doçi; prifti i Velipojës, Dom Mark Shllaku; ai i Rrjollit, Dom Zef Shkreli; prifti i Shkodrës, Dom Jak Sarreqi dhe prifti nga Mirdita, Dom Dodë Koleci. Synimi i tyre, sipas tij, ishte formimi i një lidhjeje kombëtare, e cila mori emrin “Bashkimi Shqiptar”. Në vazhdim Nikaj shprehet se: “Nuk bame shkresa qe mos të ndodhte rrezik zbulimi nga ana e qeverisë turke edhe të n`a nxente me prova në dorë”(...) “U lidhme më shkrue ne giuhen shqype se i cili mbas andjes së vet dhe mbas prirjet përkatse“.
Në mbledhjen e Shkrelit, Nikaj dhe Doçi ishin zotuar se do të merreshin me afrimin e shqiptarëve të dy besimeve: katolikë dhe myslimanë. “Në qytetin e Shkodrës, përçarja e shkaktuar nga turqit, ishte evidente”, - thekson Nikaj. Sipas këtij konstatimi, rezulton se afrimi i shqiptarëve të dy besimeve do të ishte puna bazë për përgatitjen e lëvizjeve dhe kryengritjeve, të cilat do të zhvilloheshin kundër Perandorisë Osmane, deri në shpalljen e plotë të pavarësisë së Shqipërisë. Në kohën e lirisë Konstitucionale (1908), e cila ishte një manovrim perandorak, Ndoc Nikaj hapi veprimtarinë e tij botuese në Shkodër (1909), duke siguruar një shtypshkronjë të vogël me pakicë germash. Në janar të vitit 1910, ai fi lloi të botonte së bashku më abat Preng Doçin, gazetën “Koha”, e cila, duke filluar nga numri i dytë doli me emrin “Bashkimi”, dhe si motiv të vetin kishte kujdesin për punët kombëtare dhe të diturisë. Dom Nikaj dhe abati i Mirditës, Doçi, edhe pse në pozita të ndryshme kishtare, mbanin ndërmjet tyre lidhje të ngushta miqësie. Madje, të dy kishin të njëjtin drejtim politik: “Shqipënin e lirë e vetsunduese”, - thekson Nikaj.
Në vitin 1897, Abati Preng Doçi - letrar, hulumtues dhe diplomat - kishte paraqitur para krerëve të Mirditës në Orosh programin me të cilin parashikonte organizimin e lëvizjeve dhe kryengritjeve nga 1897-1900 dhe në vazhdim. Në këtë program, sipas konsullit Theodor Ippeni, të datës 25 qershor 1897, ishte paraparë bashkimi, nën administrimin e Prek Pashës, të tri krahinave: Malësisë së Madhe, Dukagjinit, dhe Mirditës. Preng Doçi, meqë ishte i vetëdijshëm se kishte pozicion të lartë kishtar, mori përsipër para të huajve, ta paraqesë programin si një aksion spontan të disa patriotëve, e jo si të nxitur nga ai vetë apo nga Austro-Hungaria. Duke qenë se Kisha Katolike në Shqipëri, që në vitin 1815, por dhe më herët, ishte nën protektoratin e kultit të austro-hungarezëve, Doçi, në lidhje me programin në fjalë, më 7 dhjetor 1897 do të raportonte dhe Vjenën.
Abat Doçit, në vazhdim, në fushën politike dhe organizative i duhej të vepronte në heshtje, sepse ishte, abat i abacisë - në rangun e një dioqeze - dhe kthimin në vitin 1888, në Mirditë, e kishte të kushtëzuar nga diplomacia europiane, para Perandorisë Osmane, për mosangazhimin e tij në politikë. Për këtë arsye ishte shumë i fshehtë dhe më i rezervuar në veprimtarinë tij atdhetare. Sidoqoftë, puna e tij, edhe përkundrejt vëzhgimeve nga ndërkombëtaret, nuk pat të ndalur.
Ai vazhdonte të merrte pjesë, tërthorazi apo drejtpërsëdrejti, në organizimin e kryengritjeve të popullatës për çlirimin e vendit nga zgjedha turke.
Për punën e tij të pa lodhur dhe heroike, diplomacia austrohungareze do shprehej se: “Emzot Doçi, ishte burrë i zgjuar dhe energjik i cili e kishte marrë përsipër që të realizojë bashkimin politik të fi seve shqiptare”.
Në dokumentet e kohës, shënohet se, Doçi qe frymëzues i organizimit të kuvendit të mbajtur gjatë muajit prill në Kimëzë dhe më vonë, në Fan të Mirditës, në vitin 1911, ku ishte vendosur për t’i kundërshtuar sanksioneve të ndërmarra nga Perandoria Osmane kundër popullit shqiptar. Në tetor të vitit 1911, Doçi qe përkrahës i mbajtjes së Kuvendit në Kullmet të Lezhës, ku krerët e 12 bajraqeve të Mirditës vendosen të mos u binden autoriteteve osmane. Gjithashtu, abati përkrahu dhe nxiti mbajtjen e kuvendit të Rubikut, organizuar po në këtë vit, në të cilën u hartua projekt-kushtetuta për Shqipërinë autonome, e cila në raportet e konsujve quhej Memorandumi i mirditasve. Kjo projekt-kushtetutë qe prezantuar nëpërmjet delegacionit mirditor dhe në Besëlidhjen e Shkupit, më 10 gusht 1912.
Dom Ndoc Nikaj dhe Abat Preng Doçi, së bashku, gjatë muajt mars-gusht vitit 1911, kanë qenë pjesëmarrës në shpërthimet e kryengritjeve në Malësinë e Mbishkodrës. Si klerik i lartë kishtar, nga viti 1903 në 1912 dhe në vazhdim, Preng Doçi pati letërkëmbim të vazhdueshëm me Ismail Qemalin, kur ky ishte deputet i Perandorisë Osmane, e më vonë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë.
Preng Doçi dhe Ndoc Nikaj do të mbesin në kujtime të historisë kombëtare, si ata që gjithë kohën, qëndruan në ballë të lëvizjeve dhe kryengritjeve kombëtare, vizionarë, intelektualë dhe guximtarë të shquar.
Poeti – Ndre Mjeda ( 1866- 1937)
Ëndrra e popullit liridashës për t’u liruar nga zgjedha e vuajtjeve shekullore, nuk kishte si të mos shqetësonte dhe të mos nxiste për t’iu bashkëngjitur popullit, edhe poetin, gjuhëtarin më të spikatur të kombit tonë, Dom Ndre Mjedën.
Kthimi i tij në atdhe në vitin 1900, përkonte me riaktivizimin e kryengritjeve kundër Perandorisë Osmane në veri të Shqipërisë.
Mjeda, duke qenë se ishte prift i thjeshtë, me plot energji, kishte rastin ideal për realizimin e planeve dhe aspiratave të tij të vjetra për çlirimin e vendit. Kur lëvizjet shqiptare në malet e Veriut po merrnin përpjesëtime të dukshme, Valiu i sapoemëruar i Shkodrës, Shaqir Pasha ( dhjetor 1901) u përpoq t`i gënjejë kryengritësit, me anë të premtimeve dhe propozimeve për bisedime.
Valiu dinak, në vazhdën e mashtrimeve, mori masa dhe organizoi veprime ndëshkimore e masakra kundër patriotëve shqiptarë, të cilët kërkonin reforma me programe kombëtare. Nga shumë patriotë kryengritës, disa u arrestuan, të tjerët i vranë dhe një pjesë tjetër u internua.
Mjeda, në këto ngjarje - famullitar i Vigut në Mirditë - nuk mundi të qëndrojë i mënjanuar, por mori pjesë aktive në organizimin e kryengritjeve të Mirditës të vitit 1900-1902 dhe në vazhdim.
Duke pasur parasysh se ideja më parë duhet të vihet në letër, më 26 shkurt 1902 Mjeda hartoi në të gjitha gjuhët e mëdha, një memorandum, në emër të krerëve mirditorë: Orosh, Spaç, Kushnin, Fandi, Dibrri dhe bajraqet e Pukës të sipërme: Iballja, Bugjoni dhe Berisha; asaj të poshtme: Kabashi, Qerreti, Puka dhe Mali i Zi, të cilin e dërgon vetë, në dyert e të gjithave konsullatave të akredituara në Shkodër. Ky veprim i tij shkaktoi shqetësime, duke e vënë në lëvizje diplomacinë e Perandorisë Osmane në Stamboll, diplomacinë e Vjenës, të Romës dhe të Shkodrës si kryeqendër e ngjarjeve luftarake, sepse ishte rast i rrallë qe një klerik katolik të merrte guximin dhe, haptas të qëndronte në ballë të kryengritësve.
Duke qenë i bindur se uniteti bën fuqinë, në periudhën maj-gusht 1902 Mjeda nxiti popullin e Iballës të bashkohet në beteja të përbashkëta me mirditorët. Po në të njëjtën kohë, punoi për ngritjen e shkollës së parë shqipe për Veriun e Shqipërisë, në Iballë të Pukës, e cila qe një shkëndijë, që më vonë u shndërrua në vullkan për nxitjen kryengritjeve në këto zona.
Për shkak të angazhimit të tij të vazhdueshëm për çështjen kombëtare, Mjeda qe arrestuar në Shkodër më 11 tetor 1902, nga valiu Shaqir beu. Pas, disa mbledhjeve, nga qeveria në Stamboll e në Vjenë, qeveria turke vendosi lirimin e tij, më 21 tetor 1902, duke i urdhëruar poetit të jetë i kujdesshëm dhe mos të merrej më me politikë.
Edhe pse veprimtaria e tij, për shkak të konflikteve me Perandorinë Osmane, sa pak, qe e kufizuar, Mjeda, nuk pat të ndalur. I prirë nga ndjenjat e tij kombëtare dhe fetare, krahas mbikëqyrjes që kishte, mori angazhimin e tij edhe gjatë shpërthimeve të kryengritjeve në Malësinë e Mbishkodrës, në vitet 1910-1911, kur ushtria e Turgut Pashës ushtronte mbi malësorët një dhunë të skajshme. Me këtë rast, kërkonte të neutralizonte politikën xhonturke dhe armatosjen e myslimaneve shqiptarë kundër të krishterëve. Gjithashtu, ai kërkonte që të tria besimet e një kombi të bashkoheshin në një lëvizje të vetme kombëtare, me qëllim që të fi tohej autonomia për shqiptarët (mundësisht, me mënyrë paqësore) dhe, më vonë të bëhej shkëputja e plotë nga Perandoria Osmane.
Mjeda, përbrenda dyerve të shtëpisë, në Kukël, tani synonte hartimin e një epopeje kombëtare shqiptare, për t`i kënduar lavdisë e të parëve, kohës së shkëlqyer të Skënderbeut. Por, natën e 1-2 nëntorit 1912, duke iu bastisur shtëpia, arrestohet nga turqit për herë të dytë. Me këtë rast i digjen dorëshkrimet e vyera në qelën e kishës se Kuklit, ku kryente shërbesat fetare. As ky gjest i shëmtuar i pushtuesit, pas largimit të tyre nga Shkodra, nuk e ndaloi poetin që në nëntorin e vitit 1912, të merrte pjesë aktive në mbrojtjen e qytetit në Shkodër, tashmë nga sulmet malazeze, të cilëve u ishte rritur oreksi ndaj tokave shqiptare.
Mjeda, edhe pse nuk mundi, për shkak të rrethimit të Shkodrës, të jetë i pranishëm në çastin e ngritjes së flamurit në Vlorë, më 28 nëntor 1912, në shenjë përkrahjeje dhe miratimi ndaj asaj çfarë ndodhi, në vitin 1913, ishte bërë pjesë e qeverisë së Bushatit, e cila synonte të bashkonte trojet shqiptare me qeverinë e Vlorës.
Nënkryetari i Qeverisë së Vlorës, Dom Nikollë Kaçorri (1868-1917)
Në vazhdën e lëvizjeve dhe kryengritjeve në veri të Shqipërisë, bëjnë pjesë dhe ato të Kurbinit të viteve 1903-1912. Kjo krahinë, si të gjitha viset e tjera, kërkonte të drejtën e vetëqeverisjes. Pas kalimit të Kurbinit nga varësia e sanxhakut të Shkodrës, tek ajo e sanxhakut të Durrësit në vitin 1903, kjo e fundit mori vendimin të vendoste në Kurbin një administratë të vijës së ashpër shtetërore turke. Ky fakt zgjoi te kurbinasit një pakënaqësi, e cila më pas, do shndërrohej në lëvizje dhe kryengritje të armatosura kundër pushtimit osman.
Me këtë rast, në skenën politike doli, Dom Nikollë Kaçorri, për të cilin dom Markë Dushi, famullitari i Tiranës, në dorëshkrimin e tij, me rastin e 50-vjetorit të vdekjes se Kaçorrit, ndër të tjera thotë: “Shkëndijën e parë në zemrat e malësorëve trima të Kurbinit për një kryengritje të përgjithshme kundër turkut, që e ndezi Dom Nikollë Kaçorri”. Dushi, duke komentuar cilësitë e Kaçorrin, mes të tjerash, do shprehet: “I lindur në vend burrash, i mprehtë për nga mendja, orator për nga goja dhe vullkan për nga zemra, për dashuni ndaj atdheut, të gjitha këto e bajn Kaçorrin një personalitet të dalluem në Shqipërinë e skllavërueme, por jo të mposhtun, një shërbëtor të denjë të atdheut”.
Kaçorri së bashku me Gjin Pjetrin, udhëheqës, patriotë dhe kurbinas të tjerë, lidhën marrëveshje edhe me malësorët e Mirditës, të Lezhës dhe të Matit dhe organizuan nga viti 1906- 1907 dhe në vazhdim, çeta ushtarake. Në vitin 1906, Kaçorri së bashku me Atë Shtjefen Gjeçovin dhe krerët e Kurbinit, në Delbnisht të Gurra e Kurbinit, kishin përpiluar Kanunin e Besëlidhjes prej 12 pikash, i cili do të rregullonte lidhjet e ndërsjella ndërmjet banorëve të vendit. Kjo Besëlidhje, edhe pse u kundërshtua nga kajmekami dhe hoxhallarët e Kurbinit, duke çuar deri në vëllavrasje me baza fetare, ishte një mbështetje bazë për organizimin e mëtejshëm të lëvizjeve dhe kryengritjeve të kurbinasve kundër pushtueseve otomanë.
Dom Kaçorri, në vazhdën e punës së tij atdhetare, qe zgjedhur anëtar i Kongresit të Manastirit në vitin 1908 si dhe të Kongresit të Elbasanit. Po atë vit qe zgjedhur si delegat i Durrësit edhe në Kongresin e Dibrës, në vitin 1909. Megjithëse ishte zgjedhur delegat, nuk vajti në atë Kongres, për arsye se kishte marrë përsipër furnizimin me armë të Kurbinit dhe përhapjen e një propagande të gjithanshme për një kryengritje të përgjithshme. Pasi u zunë disa delbenishtas duke sjellë armë në Kurbin, gjyqi i Durrësit më 25 qershor 1910 e burgosi dhe e dënoi Kaçorrin me 4 vjet burg.
Aktakuza ishte se po u sillte armë kryengritëseve katolikë në Kurbin dhe po favorizonte kryengritjen e shqiptarëve të Kosovës. U lirua pas 13 muajsh dënimi, në sajë të ndërhyrjeve të shumta që u bënë nga konsulli austro-hungarez në Shkodër. Doli nga burgu me dhimbje të forta stomaku dhe zorrësh, çka me vonë rezultoi se kishte qenë i helmatisur nga turqit, ashtu siç kishin bërë me shumë luftëtarë të tjerë të lirisë.
Por, kjo ngjarje e shëmtuar nuk e shoi dashurinë e Kaçorrit ndaj atdheut, edhe me tepër e ndezi zjarrin e pa fi kur në shpirtin e tij për çlirimin e vendit.
Në qershor të vitit 1912, gjatë luftimeve të Lezhës dhe kryengritjes së Krujës, mbajti lidhje të ngushta me patriotët shqiptarë si dhe me Durrësin si kryeqendër. Lidhjet e ngushta me qëllime veprimi shtriheshin në të gjitha krahinat shqiptare nga Veriu deri në Jug të Shqipërisë, ndër të tjera, Sali Nivicën, i cili mbante pseudonimin, Ded Gjoni dhe atdhetarë të tjerë, deri në Misir (Egjipt) .
Kaçorri njoftonte dhe njoftohej me letra për kryengritje. Nga Durrësi, më 8 korrik 1912, i shkruan Avdi Bej Toptanit në Skuraj, ku e njofton mbi qëndrimin e Kryeipeshkvit të Shkodrës, Imzot Jak Sarreqit, ndaj kryengritjeve. Kaçorri, më këtë rast, për ta ruajtur anonimitetin, do të nënshkruajë me pseudonimin “Kunora”.
Në momentet më kulmore për popullin tonë, Nikollë Kaçorri, si nënkryetar i Qeverisë së Përkohshme, qëndroi krah për krah me Ismail Qemalin, duke e ngritur fl amurin kombëtar më 28 Nëntor 1912, Vlorë. Kryeipeshkvi i Durrësit, Imzot Preng Bardhi (Bianchi), meqenëse nëpërmjet Kaçorrit ishte bërë pjesë e jetës së kryengritësve, e përhapi me gëzim të madh lajmin nga në katër anët e Kurbinit për ngritjen e flamuri kombëtar nga dora e Gjin Pjetrit, edhe në Milot, po më 28 Nëntor 1912.
Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës, 1910- 1911
Pakënaqësia e popullit shqiptar ishte shtuar dhe më tepër pas aprovimit të kushtetutës të Perandorisë Osmane 1908. Ishin shtuar presionet fi zike, torturimet, taksat dhe shërbimet ushtarake etj.
Për shkak të këtyre masave shtrënguese, malësorët e rretheve të Shkodrës ngritën krye kundër autoriteteve xhonturke. Për t`i shtypur këto lëvizje dhe duke e ndjerë veten më të sigurt, Porta e Lartë së bashku më turqit e rinj e thelluan dhe me tej politikën e tyre reaksionare antishqiptare, duke organizuar një operacion vdekjeprurës të udhëhequr nga Shefqet Turgut Pasha, i cili, nga Kosova, në vjeshtën e vitit 1910, qe zhvendosur në Malësinë e Mbishkodrës.
Për shkak të kundërshtimeve të kryengritsëve të Malësisë së Madhe, nisi hakmarrja e forcave të Turgut Pashës ndaj malësorëve shqiptarë. Ushtria turke, në përbërje prej 80.000 ushtarësh kishte rrënuar,kisha, shtëpi; kishte plaçkitur bagëti, dijegur kullosa etj.
Në këto rrethana, malësorët të udhëhequr nga prijësit e tyre shpirtërorë, kishin vazhduar, në stil të gjërë, luftën e tyre me turqit nga Gryka e Shkrelit dhe Kastrati, deri në Dinoshë, në afërsi të Tuzit. Si rezultat i këtyre luftimeve ka qenë marrja e fortifi kimit të Deçiqit, me 6 prill 1911, kur më përpara valonte fl amuri i Turqisë, dhe tani valonte fl amuri kombëtar, në majën e Bratilës së Deçiqit. Pas qëndresës së gjatë titanike ndaj pushtueseve, pjesa më e madhe e malësoreve u detyruan të shpërnguleshin nga Malësia për në Podgoricë, Mal të Zi.
Qëndrimi i tyre në arrati u shoqërua me kujdesin e vazhdueshëm të Kryeipeshkvit të Shkodrës, Imzot Jak Serreqit, së bashku me abat Doçin, Atë Gjergj Fishtën, Dom Luigj Bumçin, Dom Ndre Mjedën. Figurat e njohura klerikale u përfshinë gjerësisht në ngritjen në këmbë të opinionit diplomatik europian, duke u angazhuar gjerësisht në modelimin e bisedimeve në mes të kryengritësve dhe të autoriteteve turke. Qëndrimi i Kryeipeshkvit të Shkodrës dhe i stafi t të tij, edhe pse për shkak të pozicionit të lartë kishtar, hera-herës qe i rezervuar, shprehte qartë miratimin e 12 kërkesave të malësoreve të formuluara në Librin e Kuq, më 10-25 qershor 1911, në Kuvendin e Gërçës, ku ndër të tjera kërkohej krijimi i një province autonome shqiptare, përkatësisht bashkimin e katër vilajeteve në një të vetëm. Meqenëse qeveria turke nuk i plotësoi kërkesat e shqiptarëve, por premtimet i përdori vetëm për të ulur vrullin e kryengritjeve, shqiptarët me nxitjen e klerikëve vazhduan kryengritjet në intervale edhe deri në pikën kulmore, kur me ndihmën e Austro-Hungarisë, Ismail Qemali, dom Nikollë Kaçorri dhe të tjerët, në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, shpallën pavarësinë e Shqipërisë. Edhe pse Imzot Serreqi, Doçi, Mjeda, Nikaj, Fishta etj., për shkak të sulmeve malazeze në Shkodër dhe rrethina nuk munden të jenë të pranishëm në ngjarjen e Vlorës, shpirtërisht e ndanin gëzimin bashkë me vëllezërit e tyre, të cilët, të bashkuar rreth flamurit, shprehnin vullnetin e të gjithë shqiptareve, kudo që ata ndodheshin. Për flamurin dhe ngjarjen në Vlorë, i mallëngjyer qe dhe Kryeipeshkvi i Shkupit, Imzot Lazër Mjeda, i cili, duke qëndruar për bisedime diplomatike në Vjenë, ndihmoi fi nanciarisht Luigj Gurakuqin dhe Ismail Qemalin që të arrin me vapor, nga Trijeshta për në Durrës.
Përfundimi
Shpallja e Pavarësisë i kushtohet në radhë të parë kryengritësve të viteve 1908-1912, klerikëve të shquar, intelektualëve të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit, të cilat u bënë shkak që çështja shqiptare të shtrohej për zgjidhje para Kancelarive Ndërkombëtare. Pozicionimi i klerikëve katolikë për çështjet në fjalë ishte sa i qartë, aq edhe i prerë historikisht.
Misioni i tyre ishte i mbështetur në trinomin, ‘Për Zot, për Atme e Përparim’, që do të sillte dinjitetin e shtetit shqiptar dhe shqiptarit, kudo që ata do të ndodheshin. Në përvjetorit e 100-të të Pavarësisë, emrat e tyre duhet të ngrihen në piedestalin e duhur të kombit tonë, duke u ngritur shtatore, restauruar shtëpinë dhe kishën ku kanë vepruar, duhen botuar monografi mbi jetën e tyre, kolanën e veprave, që janë vlera të përhershme kombëtare etj. Përndryshe, mallkimi i tyre do të na shoqërojë tërë jetën si komb!




del.icio.us
Digg
Facebook
Shkruani komentin tuaj. Duhet te jeni anetar i faqes qe te beni komente. Nese jeni anetar futuni ne faqe perpara se te shkruani komentin