Nderim për bektashinjtë
Në 800 vjetorin e lindjes së Haxhi Bektash Veliut
Këto ditë u mbushën 800 vjet nga lindja e Haxhi Bektash Veliut, i cili është edhe themeluesi i bektashizmit. Pa mëdyshje do të thosha se ky përvjetor meriton të përshëndetet e të përkujtohet jo vetëm nga bektashinjtë shqiptarë, por edhe nga mbarë opinioni ynë publik, së pari në respekt të kontributit të madh që ka dhënë bektashizmi dhe bektashinjtë në të kaluarën për idealin tonë kombëtar. Naim Frashëri është vetëm njëri nga emrat e shquar të bektashinjve, të cilët kanë zënë vend në altarin e kombit. Më tej, i ushqyer fort me frymën e lirisë që frymëzon bektashizmi, Baba Rexhepi dhe shumë dervishë të tjerë të nderuar, refuzuan regjimin e Enver Hoxhës dhe e vendosën teqen e tyre në SHBA. Në ditët tona bektashianët punojnë pa u lodhur për përhapjen e frymës së tolerancës e të mirëkuptimit, të paqes e të pranimit të tjetrit, faktorë këta substancialë për të ndihmuar kohezionin e shoqërisë mbarë dhe paqtimin e saj përtej dallimeve fetare, kulturore e politike.
Lindja e bektashizmit dhe shtrirja e tij pa u ndalur gjatë tetë shekujve në gjirin e besmitarëve myslimanë është një dëshmi e pakundërshtueshme e mundësisë njerëzore për tolerancë, mirëkuptim e paqe që buron nga libri i shenjtë i Kuranit, përkundër të gjithë atyre, ithtarë të një feje apo edhe ateistë, të cilët përpiqen me fjalë apo me dhunë t’i veshin Islamit dhe posaçërisht Kuranit një përmbajtje që ai nuk e ka në thelbin e vet, siç është mbjellja e urrejtjes për njeriun, me të cilin nuk të bashkon feja, mënjanimi i rolit të gruas në shoqëri etj. Ata që nxisin urrejtjen dhe përçarjen në shoqëri duke pretenduar se frymëzohen nga Kurani, në të vërtetë e kanë tradhëtuar më së pari vetë Kuranin dhe frymën e tij universale. Bektashinjtë, qysh në origjinë e deri sot e kësaj dite, në gjithë mistikën, moralin dhe filozofinë e tyre janë mbështetur e mbështeten vetëm te Kurani. Ky është një fakt që duhet theksuar fort.
Meriton të theksohet gjithashtu se shtrirja që gjeti me kohë bektashizmi ndër myslimanët shqiptarë nxjerr në pah një tipar të shkëlqyer të kombit tonë e që është aftësia për të përvetësuar gjithçka të re e përparimtare, e cila e pasuron moralin dhe botën shpirtërore të njeriut. Sepse nuk duhet harruar se bektashizmi ishte për kohën dhe vazhdon të mbetet edhe sot e kësaj dite një mistikë dhe një filozofi që e pasuron moralin dhe kulturën e besimit myliman, e afron këtë besim edhe më shumë me njerëzit në jetën e tyre të përditshme, domethënë, i afron njerëzit njëri me tjetrin. Në këtë përvjetor të Haxhi Bektash Veliut, Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane organizoi në Tiranë një simpozium ndërkombëtar. Në përshëndetjen e tij me këtë rast Kryetari i Komunitetit Myslyman Shqiptar, Haxhi Selim Muça, vuri qartë ne dukje se sunitët dhe bektashinjtë shqiptarë kanë qënë gjithmonë të bashkuar, dhe nuk kanë rënë kurrë pre e porvokimeve të atyre që kanë dashur t’i përçajnë e t’i ngrenë kundër njëri-tjetrit. Nënvizimi i këtij fakti edhe në një rast të tillë solemn dhe posaçërisht nga Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, merr një rëndësi edhe më të madhe po të mbajmë parasysh kontekstin e sotëm global, kur pretekstet dhe manipulimet e argumentave fetare përdoren në shumë rajone të botës për t’i kundërvënë komunitetet me besime të ndryshme ndaj njëri-tjetrit.
Tirana është siç dihet, selia e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Ky fakt i bën pa dyshim nder të paçmueshëm vetë Shqipërisë, dhe i jep asaj mundësinë për të luajtur një rol me peshë në debatin botëror mbi Aleancën e Qytetërimeve. Kryegjyshata përbën kështu një institucion të i rëndësisë së veçantë jo vetëm për bektashinjtë e Shqipërisë, por për mbarë bektashinjtë e botës, të cilët tashmë gjenden në të katër anët e botës. Kryegjyshata, e rikrijuar nga hiri i vet njëzet vjet më parë, ka bërë dhe vazhdon të bëjë një punë më të vullnetshme në shërbim të besimtarëve të vet, por edhe në shërbim të paqes dhe mirëkuptimit midis të gjithë njerëzve kudo që janë, në Shqipëri e gjithandej në botë. Për këtë arsye, Kryegjyshi i nderuar Haxhi Dede Reshat Bardhi si dhe gjithë udhëheqësit e Kryegjyshatës meritojnë respektin e thellë të krejt njerëzimit që dëshiron paqe e begati.
Por nuk duhen lënë pas dore gjithashtu edhe të vështirësitë e mëdha, me të cilat ndeshet Kryegjyshata për të përmbushur misionin e vet të lartë. Për hir të së vërtetës, rëndësia e veçantë e Kryegjyshatës është theksuar edhe në legjislacionin e miratuar dy-tri vitet e fundit lidhur me statusin e Komuniteteve fetare. Por nuk mjafton që ligjet të shkruhen e të votohen. Ato duhet edhe të zbatohen, gjë që nuk shihet ende të ndodhë në përputhje me nevojat. Nuk është e tepërt të kërkohet një vëmendje më e madhe e një mbështetje të posaçme për Kryegjyshatën, në dobi të angazhimit të saj për të kryer mirë e më mirë misionin e vet si udhëheqëse botërore e bektashianëve.
Besnik Mustafaj
Presidenti i Forumit Shqiptar për Aleancën e Qytetërimeve
besnik@afalc.org




del.icio.us
Digg
Facebook
Shkruani komentin tuaj. Duhet te jeni anetar i faqes qe te beni komente. Nese jeni anetar futuni ne faqe perpara se te shkruani komentin