Newsletter
Email:
Hyrje | SHQIP | AKTIVITETE | Paraqitje e vepres se Imzot Rrok Mirdites "Per nje Shqiperi me Zotin..."

Paraqitje e vepres se Imzot Rrok Mirdites "Per nje Shqiperi me Zotin..."

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

17 Dhjetor 2009, Qenda Kulturore e Forcave te Armatosura

Forumi Shqiptar për Aleancën e Qytetërimeve, në bashkëpunim me Katedralen e Shën Palit, organizuan në Qendrën Kulturore të Forcave të Armatosura paraqitjen e veprës në tri vëllime të Imzot Rrok Mirditës, Arqipeshkv në Arqipeshkvinë Metropolitane Tirane-Durrës, “Për një Shqipëri me Zotin...”, përgatitur nën kujdesin e Marjan Palokës, Marjan Lumçit dhe Gjergj Metës. Për vlerat e veprës kumtuan Besnik Mustafaj, President i Forumit Shqiptar për Aleancën e Qytetërimeve dhe shkrimtar, pedagogët e Universitetit të Tiranës, si Gentiana Skura dhe Rafaela Marteta, Peshkop Andoni, episkop i Krujës në kishën Autoqefale ortodokse shqiptare, Zoti Ermir Gjinishi, Teolog në Komunitetin Mysliman Shqiptar, Zoti Altin Hysi, sekretar i përgjithshëm i Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë dhe Don Marian Paloka, kurues i botimit. Të pranishmit i përshëndeti edhe Imzot Rrok Mirdita.

 

Botimi si libër i predikimit dhe shkrimeve të një ipeshkvi është një shërbim shumë i dobishëm për Kishën, dhe për shumë arsye.

Së pari, për arsye didaktike. Sepse,  si përfaqësuesi i Krishtit profet, ipeshkvi e ruan popullin duke e forcuar në Fjalën e Zotit. Kur Shën Pali ishte në Milet, para se te largohej nga bashkësia e krishterë e atij vendi, u tha besimtarëve se, megjithë vuajtjet që kishte përjetuar, ishte i bindur se duhet “ta dëshmojë Ungjillin e hirit të Hyjit” .

Së dyti, për arsye historike. Çfarë do të kishim ditur për situatën e Kishës në shekullin e dytë, për shembull, po të mos kishim shkrimet e ipeshkvinjve si shën Injaci i Antiokisë ose shën Irenei? Ipeshkvi është gjithmonë deshmitar i gjallë i jetës së Kishës vendase në një periudhë të caktuar të historisë së Kishës.

Së treti, për arsye baritore. Predikimet dhe shkrimet e ipeshkvit tregojnë afërsinë e tij me grigjen që i është besuar, dhe angazhimet e tij për këtë grigje. Kjo është shprehur shumë mirë në alegorinë e Bariut të mirë, ku Jezusi thotë: “Unë i njoh delet e miat dhe ato më njohin mua... Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje (Gjn 10, 14.27).

Më 25 prill 2003 kemi përkujtuar përvjetorin e dhjetë te ardhjes së Papës Gjon Pali II, në Shqipëri, kur ai shuguroi katër ipeshkvij shqiptarë. Dhe dioqeza jonë e Tiranë-Durrësit, atë ditë, ka përkujtuar gjithashtu përvjetorin e dhjetë te shugurimit ipeshkvnor e Imzot Rrok Mirditës. Për atë rast u botua vëllimi i parë i librit Për një Shqipëri me Zotin. Tani kemi në dorë të tri vëllimet, që përfshihen homelitë dhe fjalimet e ndryshme gjatë periudhës qysh nga ky shugurim e deri në vitin 2009.

Në fakt, që nga fillimi i mandatit të tij si ipeshkëv djoqezan, Imzot Mirdita ka vënë re nevojën për një ungjillëzimi të ri në Shqipëri. Ai ka shkruar :“ Një kishë që jeton në dëgjesën e Ungjillit dhe e shpall atë, është kishë në shërbim të shoqërisë”. Dhe gjatë këtyre viteve si Arqipeshkv ka pasur kënaqësi të pranojë në dioqezën e vet shumë misionarë që kanë zbatuar dhe ende zbatojnë këtë mision fisnik: ungjillëzimin.

Edhe më të rëndësishme janë këto shkrime nga pikëpamja historike. Imzot Rrok Mirdita ka parë rilindjen e Kishës në Shqipëri, dhe veçanërisht në arkidioqezën e vetë, Tiranë-Durrës. Sot kjo arkidioqezë është në moshën e adoleshencës, gjashtëmbëdhjetëvjeçare: është në pranverën e jetës. Kur një nënë e sheh të birin në këtë moshë nuk mund të harrojë se, 16 vjet më parë, e kishte lindur këtë djalë në vuajtje. Kjo ishte edhe eksperienca e Imzot Rrok Mirditës në lindjen e dioqezës së vetë. Këto shkrime përshkruajnë mirë rritjen e kësaj “fëmije”, nga lindja deri në moshën e tanishme.

 

Ky botim, i përgatitur nën kujdesin e Marian Palokës, Marjan Lumçit dhe Gjergj Metës, e vendos me dinjitet Imzot Rrok Mirditën në traditën e shquar të klerikëve të Kishës Katolike Shqiptare, të cilët  gjithmonë fjalën e Zotit e përcollën te besimtarët e vet si dashuri për Shqipërinë.

 

Dhe së fundi, këto shkrime janë dëshmi e angazhimit baritor të autorit ndaj grigjës që i është lënë në kujdes. Si ka thënë Shën Agustini, në Fjalimin mbi Barinjtë: “Është detyrë e jona të mos heshtim, por juve ju takon ta dëgjoni nga shkrimet fjalën e bariut”. Në homelinë në përvjetorin e parë të kushtimit të kësaj Kishe Katedrale (më 25 janar 2003) Imzot Rrok Mirdita tha: “Unë e shoh me gëzim dhe hare se kjo Katedrale e gjallë, që jeni ju, rritet dhe bëhet çdo ditë më e bukur, më mikpritëse, më e dashur.

Ky libër të jetë, për të gjithë ata që do ta lexojnë, mjet për ta njohur më mirë Bariun e Madh, Jezu Krishtin, dhe për ta dashur më shumë Kishën e tij të udhëhequr nga pasardhësit e apostujve.

 

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Shkruani komentin tuaj. Duhet te jeni anetar i faqes qe te beni komente. Nese jeni anetar futuni ne faqe perpara se te shkruani komentin comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • email Email shokeve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst